Albin Kurti, kryetari i Vetëvendosjes, i ka thënë ambasadores së re suedeze në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, se dialogu Kosovë-Serbi ka kaluar në aventurë të rrezikshme të presidentit Hashim Thaçi.
Sipas Kurtit, Thaçi tani po e vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial e institucional të Kosovës.
Në njoftim nga Vetëvendosje për këtë takim me ambasadoren suedeze, thuhet se Ahliny u “interesua mbi gjendjen e përgjithshme politiko-institucionale dhe socio-ekonomike në Kosovë, si dhe shprehu interesim të veçantë të informohet nga afër rreth programit politik dhe qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje mbi zhvillimet e fundit dhe dialogun Kosovë-Serbi”.
“Kryetari Kurti e informoi Ambasadoren për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! karshi dialogut Kosovë-Serbi i cili ishte nga fillimi dialog pa parime dhe si tillë nuk solli ndryshime pozitive në vend. Ky lloj dialogu kaloi në fund në adventurë të rrezikshme e personale të Presidentit Thaçi e cila vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës. Tutje, Kryetari Kurti shpalosi parimet dhe prioritetet programore të Lëvizjes, të orientuara në shtetndërtim demokratik dhe zhvillim socio-ekonomik. Ai theksoi dosmosdoshmërinë e luftimit të krimit e korrupsionit si për sistemin e drejtësisë ashtu edhe për investimet në ekonomi, reformat në arsim dhe shëndetësi. Gjithashtu, Kryetari Albin Kurti e njoftoi ambasadoren me përgatitjet e protestës paqësore të ditës së shtunë”, thuhet në njoftim.