U tha dhe u shkrua shumë për seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për rregulloren e re të BQK-së për ndalimin e dinarit serb. Edhe dje para se të mbahej kjo seancë kam shkruar për miopinë strategjike të pushtetit aktual, se si ia doli t’i “bashkojë” si SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe Bashkimin Evropian kundër Kosovës.
Megjithatë, një gjë nuk mund te mohohet nga “konkluzionet” e diskutimeve në Këshillin e Sigurimit.
Që Albin Kurti me këtë veprim ia doli që çështjen e dinarit ta barazojë me agresionin paramilitar serb kundër territorit të Kosovës më 24 shtator. Sepse te gjitha vendet mike te Kosovës, duke filluar nga ShBA-ja, i adresuan njëlloj këto dy ngjarje në të njëjtin event në fjalimet e tyre.
Dhe ky dështim strategjik i Kosovës, krahas qe duhet t’i mvishet kryeministrit Kurti, nuk mund të mohohet se është po ashtu gabim i konsullit të tij në New York, Blerim Reka. Sidomos, kur marrim parasysh faktin se ky i fundit e mban veten për ekspert të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Por mbase në ato momente ai nuk e ka pasur mendjen te fati i Kosovës dhe prapakthimi diplomatik dhe politik i shtetit, por si t’i serviloset të parit të Qeverisë për favorin që i ka bërë duke e emëruar konsull në New York. Prandaj, ky dështim shënon edhe kapitullimin moral dhe profesional të “profesorit” për të mbrojtur interesat shtetërore përballë shërbimit ndaj liderit dhe pushtetit.
Një plagomë kjo e kahershme në shoqërinë tonë.