Kurti: Janë grumbulluar rreth 190 metra material arkivor për krimet e kryera gjatë luftës

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 13:36 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë një viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit  arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në prezantimin e raportit 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ai ka thënë se Serbia është duke vazhduar që të mos kërkoj falje për krimet që ka bërë.

“Me regjistrimin e popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, vrasjet, të zhdukurit. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit  arkivor dhe 15 terabait material digjital, video, audio, foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion është mbledhur nga 67 burime të ndryshme”, tha Kurti.

Kuti tha se këto materiale po grumbullohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe gjeneratave të ardhshme, siç tha ai “për një periudhë të errët që kaluam”.

Kryeministri Kuti tha Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet për të grumbulluar dhe sistemuar materialet që dëshmojnë krimet ndaj popullatës civile.

Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit tha se raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.

“Që nga themelimi i Institutit kemi ndjekur një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.

Ndërkohë, detajet e raportit janë prezantuar me dyer të mbyllura, pasi sipas Hetemit, protokolli i kërkonte një qasje të tillë.

Të ngjashme