Kurti jep detaje për takimet e djeshme në Bruksel

Prishtinë | 30 Pri 2021 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje rreth takimeve të cilat i ka zhvilluar dje në Bruksel, raporton EO.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka treguar se në fund të takimeve me Stoltenberg, Borrell, Varhelyi dhe Ursula von der Leyen, ka pasur një paraqitje para Komitetit të Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme.

“Ditën e dytë të vizitës në Bruksel bashkë me zëvendësit e mi z. Bislimi dhe znj. Gërvalla e nisëm në selinë e Aleancës Veri-Atlantike ku na priti Sekretari i Përgjithshëm i saj z. Jens Stoltenberg me bashkëpunëtorët e tij. Më pas u rikthyem në Komisionin Evropian për tri takime të ndara: me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë z. Josep Borrell me të cilin pata edhe një drekë pune dhe konferencë të përbashkët për medie, për të vazhduar me Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim z. Olivér Várhelyi, dhe, Presidenten e Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen.

Në fund bëra një prezantim dhe debat para Komitetit të Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme (AFET) të udhëhequr nga Kryetari i tij z. David McAllister me të cilin pata edhe nje takim të veçantë.

Fjalimi im që theksonte rëndësinë e historisë në politikë, të barazisë në dialog, të reformave në qeverisje dhe të BE-së si vlerë, u pasua nga pyetje e komente të shumta e fort të dobishme të europarlamentarëve të pranishëm”, ka shkruar Kurti.


Të ngjashme