Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, znj. Rozeta Hajdari, zv. Ministrin e saj z. Edison Jakurti dhe ish drejtorin e Trepçës dhe ish kryesuesin e bordit të KOSTT, z. Nazmi Mikullovci vizituan sot Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK). Aty u pritën dhe u përcollën nga u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv, z. Luigj Imeri, anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, anëtarë të Menaxhmentit të KEK-ut dhe përfaqësuesit e punëtorëve.
Në këtë vizitë u përfshinë vizitat në Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova – B. Aty, Kryeministri në detyrë u informua mbi punën e kësaj korporate, veçanërisht në situatë pandemie. Sipas u.d. të Kryeshefit Ekzekutiv, z. Luigj Imeri, në përputhje me këshillat mjekësore dhe masat e Qeverisë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit Corona, KEK-u ka reduktuar stafin e punëtorëve. Megjithatë, prodhimi nuk është ndaluar e as nuk ka munguar, ashtu që furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës të jetë i rregullt. Punëtorët janë pajisur me masat mbrojtëse me kohë dhe gjatë gjithë kohës, si dhe kanë respektuar udhëzimet përkatëse. Tutje, ai po ashtu e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti edhe për planet afatshkurta dhe afatmesme të KEK-ut.
Kryeministri në detyrë Kurti i falënderoi të gjithë për punën e palodhshme dhe tejet të rëndësishme. Për të dhe Qeverinë në detyrë KEK-u ka rëndësi të trefishtë; (i) është pasuri natyrore, (ii) kapacitet prodhues dhe (iii) organizatë e punëtorëve. Ai shprehu mbështetje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar ashtu që rritet dhe stabilizohet prodhimi dhe të përmirësohen kushtet e punës në këtë ndërmarrje. KEK-u ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomisë duke qenë se energjia është epiqendër e zhvillimit ekonomik.
Kryeministri në detyrë Kurti i uroi për pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës pas votimit të suksesshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E. Kjo marrëveshje e largon Kosovën nga blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe e bashkon Kosovën me bllokun rregullues Kosovë-Shqipëri, dhe si rezultat mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si e tillë, ajo do të jetë ndihmë për gjenerim me të madh përveç se furnizim më të mirë me energji elektrike.
Kryeministri në detyrë Kurti u zotua se do te jetë gjithnjë pranë KEK-ut dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, si asnjë kryeministër më parë.