Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjet e rëndësishme në vend në një intervistë për të përditshmen gjermane ‘Welt’. Kurti përmendi strukturat ilegale në pjesën veriore të Kosovës dhe sipas tij, nevojën urgjente për rritjen e numrit të trupave të KFOR-it.
Kurti ka deklaruar se Serbia vazhdon të ndërtojë struktura ilegale, duke u shprehur se problematike është mirëmbajtja e “lidhjeve të ngushta” të Serbisë me Rusinë.
Në lidhje me njërën nga masat e reja reciproke, përkatësisht për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, Kurti tha se me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, mund të pajtohet nëse edhe ai heq dorë nga ato.
Kryeministri është shprehur se as presidenti rus, Vladimir Putin e as Vuçiq, nuk mund të abuzojnë me minoritetin serb të Kosovës.
“Qytetarët e rëndomtë nuk marrin pjesë në politikat luftënxitëse kundër shtetit tonë”, tha Kurti.
Por sipas tij, një gjë të tillë e bëjnë ata që janë nën paga të Beogradit, të cilët i quan kriminel që nxisin trazira qëllimisht.
Nevojiten përforcime të forcave të KFOR-it
Kurti ka rikujtuar se Serbia ka 48 baza ushtarake përreth Kosovës.
Për shkak të bashkëpunimit të ngushtë ushtarak mes Serbisë dhe Rusisë, kryeministri tha se “kemi nevojë urgjente për të rritur konsiderueshëm numrin ushtarëve të NATO-s në Kosovë”.
“Kjo definitivisht do të përmirësonte sigurinë tonë”, u shpreh Kurti për Welt.
Gjithashtu, ai konsideron se ndihmë do të ishte po të kishte edhe më shumë trupa gjermane, gjë që, sipas tij, “do të forconte parandalimin” [e ndonjë përshkallëzimi].
Përveç kësaj, Kurti tha se trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-i, “do të na ndihmonte që të edhe më tutje të shtrinim strukturat dhe kapacitetet e sigurisë”.