Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ministrat që deri të mërkurën të dorëzojnë versionet finale të planeve të punës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se javën e ardhshme presin që Planin e Punës ta miratojnë në Qeveri dhe ta dërgojnë në Kuvend.
“Ju lus që deri këtë të mërkurë në mesditë të dërgoni të zyra për planifikim strategjik versionet finale të planeve tuaja sepse e kemi plan që javën e ardhshme ta sjellim në Qeveri dhe Kuvend planin e punës”, tha Kurti.
Ai këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes së Qeverisë ku janë miratuar disa pika të rendit të ditës.
Ai këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes së Qeverisë ku janë miratuar disa pika të rendit të ditës.
Ndër to ka qenë edhe shqyrtimi i propozim vendimit për Organizimin dhe Funksionalizimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe Strukturave Përgjegjëse për të Koordinuar Monitoruar dhe Zbatuar dokumentet strategjike të reformës së administratës publike.
Këshilli i Ministrave për Reformën e Administratës Publike do të jetë struktura kryesore përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të Reformës së Administratës Publike. Ai do të ketë këtë përbërje:
1. Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme – kryesues;
2. Ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve – anëtar;
3. Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal – anëtar;
4. Ministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – anëtar;
5. Ministri i Ministrisë së Drejtësisë – anëtar; dhe
6. Zyra e Kryeministrit (këshilltar politik) – anëtar
Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për lidhjen e një marrëveshje ndërkombëtare mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Arabisë Saudite për bashkëpunim policor.
Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla para kabinetit qeveritar ka thënë se kjo marrëveshje ka rëndësi në parandalimin e luftimit të krimit.
“Kjo marrëveshje ndërkombëtare ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit në si vijon: krimi i organizuar transkufitar dhe terrorizmi, prodhimi dhe transportimi i paligjshëm i substancave narkotike, krimi kibernetik dhe pornografisë të fëmijëve në internet, krimet ekonomike dhe financiare duke përfshirë shpëlarjen e parave etj… Duke marrë rëndësinë e kësaj draft marrëveshje kërkoj miratimin të kësaj marrëveshje me Arabinë Saudite”, tha Sveçla.