Kryeministri Albin Kurti i ka komentuar vizitat e kaluara dhe pasuese të ditëve të fundit, ku është folur edhe për situatën e hapjes së Urës së Ibrit.
“Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm, kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik”, tha Kurti në lidhje me vizitën e shefit të CIA-s, William Burns.
“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull, trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull”, ka thënë Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë.
“Hapja e urës është liri e lëvizjes, e liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në Bashkimin Evropian”.
“Para katër ditësh u mbushën 11 muaj prej agresionit serb kur u vra heroi i policisë, Afrim Bunjaku. Serbia nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vazhdon të mos ta dorëzojë Radoiçiqin. Edhe në ShBA kërkova që të ketë më shume trysni për vënie ndaj drejtësisë të akteve destablizuese të Beogradit zyrtar dhe individëve përkatës”, ka shtuar Kurti.