Kryeministri Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën dhe kandidatin për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, kanë bërë homazhe te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se nuk mund të jenë të qetë përderisa nuk ka drejtësi për Astritin.
Sipas tij, Dehari u mbyt në burg dhe ishte viktimë e krimit politik.
“Sot janë mbushur pesë vjet pa Astritin. Me shumë dhembje e mall, por edhe me shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën, angazhimin, kontributin dhe sakrificën e tij. Pesë vjet pa Astritin janë edhe drejtësi për Astritin”.
“Ai u mbyt në burg, në burgun e Prizrenit më 5 nëntor të vitit 2016 dhe sot e kësaj dite ne nuk mund të jemi të qetë përderisa nuk ka drejtësi për Astritin, përderisa përgjegjësit nuk janë gjykuar e dënuar dhe përderisa nuk është zbardhur në plotni e vërteta për të”.
“Astritin e kemi pas shok të ngushtë, i cili ka qenë shembull për të gjithë neve me aktivitetin, dashamirësinë dhe organizimin që ka bërë, ne ja kemi borxh edhe Astritit por edhe qytetarëve, drejtësinë për Astritin”.
“Duhet të bëjmë e do të bëjmë reforma të thella në sistemin e drejtësisë edhe për viktimat e krimeve të kryera nga Serbia, edhe për viktimat e krimit të organizuar e korrupsionit, edhe të krimit politik çfarë ishte edhe mbytja e Astritit në burg”, tha kryeministri Kurti
Homazhe bën dhe familjarët e të ndjerit dhe qytetarë të shumtë.
Në pesë vjetorin e Astrit Deharit, do të mbahet edhe një tubim përkujtimor.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana ende të pasqaruar mirë në Qendrën e paraburgimit në Prizren.