Kurti: Konstituimi i institucioneve do të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur

Prishtinë | 07 Mar 2021 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar për T7 se konstituimi i institucioneve do të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur, por kjo varet edhe nga aspekti procedurial.

Këtë Kurti e ka thënë pas takimit që ka pasur mëngjesin e sotëm me Vjosa Osmanin, Glauk Konjufcën, Donika Gërvallën e Saranda Bogujevcin.

“Sot u takuam (në këtë lokal)  mëqenëse është e diel dhe në Kuvend të Kosovës nuk deshëm që t’i nxjerrim jashtë orarit kamarierët. Biseduam për procesin zgjedhor, biseduam për orarin drejt konstituimit të institucioneve. Ishim bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe tashmë, deputeten e ardhshme, Donika Gërvalla dhe ishte një takim i këndshëm, i së dielës paradite. Urime Dita e Mësuesit”, ka deklaruar Kurti për T7.

Kurti ka thënë se gjithçka rreth konstituimit të institucioneve do të shkojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Gjithçka do të shkojë, sa më shpejt që të mundet nga ana jonë. Të vetmet kufizime janë ato që kanë të bëjnë me aspektin procedurial”, ka deklaruar kreu i VV’së.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, bashkë me iniciativën e Vjosa Osmanit, kanë fituar zgjedhjet e 14 shkurtit.


Të ngjashme