Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë tri viteve të qeverisjes së tij, Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën “Balkan Leadership Conference” me temën “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”, shefi i ekzekutivit ka thënë se rritja ekonomike është në nivelin 6.2 për qind, ndërsa Bruto Produkti Vendor është gjashtëfishuar që nga paslufta.
“Valët e imigrimit si dhe qëndrimi në vetëm një vend nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit XX, madje as nga fillimi i shekullit të ri. Nga viti 2011 e deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë për 8 për qind. Në të njëjtën kohë ka rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet që jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit dhe nuk janë të përfshirë në shifrat e popullsisë”.
“Kosova ka njohur përparim dhe progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit. Rritja ekonomike është në nivelin 6.2 për qind. Ekonomia e vendit, përkatësisht BPV është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000 e tri herë më i madh se në vitin 2008 kur është shpallur Pavarësia. Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport-import krahasuar në vitin 2021, është përmirësuar në 1 me 6 nga 1 me 9 sa ishte aso kohe”, u shpreh Kurti.
Ai tutje është shprehur se me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente.
“Paqja në rajonin tonë, e sidomos në Kosovë, është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë, sepse është dashur të luftohet e të përpiqemi vazhdimisht për të. Me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente”.
“Natyrisht paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë, por është edhe një punë që realizohet edhe përbrenda, këtu nuk e vë në dyshim vullnetin e një populli për ta ndërtuar dhe forcuar paqen. Popujt janë të mirë dhe popujt e duan të mirën”, ka thënë Kurti.