Kurti: Serbia, ende strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimit në Kosovë

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Në seancën solemne për Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, kryeministri Albin Kurti tha se numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me krimet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se derisa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve.

Ai tha se heshtja dhe stigma që rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar të kërkojnë drejtësi.

“Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”.

“Të nderuara zonja dhe zotërinj, dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021 u shënua një hap drejt drejtësisë me dënimin e parë të kriminelit të luftës, Zoran Vukotiq, për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.

Viteve të fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte që nuk parashkruhen as nuk falen. Ndryshimet që i kemi bërë bashkë në Kodin Penal të Kosovës mundësojnë gjykimin në mungesë për krimet e luftës. Megjithatë, numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me përmasat e mëdha dhe thellësinë e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto krime nuk prekin vetëm të mbijetuarat dhe familjet e tyre, por lënë pasoja të thella që transmetohen si traumë e vazhdueshme ndërbrezore.

Ndërkohë që Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimit. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë. Atje u organizua ekspozitë për njësitë e ushtrisë jugosllave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe, komandantët më të lartë të të cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999, duke mos u distancuar nga e kaluara e saj kriminale. Përkundër mungesës së refleksionit nga Serbia, përvoja e Republikës së Kosovës në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës po shërben si shembull i rëndësishëm për vendet e tjera të prekura nga konflikti”, tha Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuara znj. Vasfije Krasniqi, Shyrete Tahiri, të dërguara speciale të Presidentes për dhunën seksuale gjatë luftës,

I nderuari z. Ramadan Nishori, i mbijetuar, aktivist i të Drejtave të Njeriut,

Të nderuar kryesues e kryesuese të Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë, përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit,

Të nderuar ambasadorë e diplomatë të tjerë të akredituar në Republikën tonë,

Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare,

E nderuara znj. Feride Rushiti, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës,

Të dashura të mbijetuara dhe të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, nderojmë çdo grua dhe burrë, vajzë e djalë, fëmijë, që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor, këtë armë lufte të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese të Serbisë. Sot qëndrojmë bashkë, me respekt e dhimbje të përbashkët, dhe me zotimin se nuk do të lejojmë asnjëherë që kjo e vërtetë të harrohet.

Sot nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqin e Shyrete Tahirin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Andaj, kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar, që vazhdojnë të përballen me paragjykime në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë.

Të dashura të mbijetuara dhe të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës,

Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje. Kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e juaja, ajo është përgjegjësi e jona si shoqëri për ta thyer atë. Është detyra jonë si shtet e shoqëri, që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me empati dhe respekt të thellë njerëzor.

Në vitet e pasluftës, roli i organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht i atyre të udhëhequra nga gratë, ishte jetik. Përveç ofrimit të përkrahjes ndaj të mbijetuarve, organizatat e grave janë edhe partnere të institucioneve, dhe vazhdojnë të kontribuojnë edhe në hartimin e politikave që avancojnë drejtësinë tranzicionale, e që reflektojnë realitetet dhe nevojat e të mbijetuarve.

Andaj, për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit të të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Qeveria po vazhdon financimin për katër organizatat e autorizuara në këtë proces: Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendrën për Promovimin e Drejtave të Grave në Drenas, Medica Gjakova dhe Medica Kosova.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021, u shënua një hap drejt drejtësisë, me dënimin e parë të kriminelit të luftës Zoran Vukotiq për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Viteve të fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte, që nuk parashkruhen e as nuk falen.

Ndryshimet që i kemi bërë bashkë në Kodin Penal të Kosovës, mundësojnë gjykimin në mungesë për krimet e luftës. Megjithëkëtë, numri i dënimeve mbetet ende i ulët dhe joproporcional me përmasat e mëdha dhe thellësinë e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto krime nuk prekin vetëm të mbijetuarit dhe familjet e tyre, por lënë pasoja të thella që transmetohen si traumë e vazhdueshme ndërbrezore.

Ndërsa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë. Atje u organizua ekspozita për njësitë e Ushtrisë Jugosllave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, komandantët më të lartë të të cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999, duke mos u distancuar nga e kaluara e saj kriminale.

Përkundër mungesës së reflektimit nga Serbia, përvoja e Republikës së Kosovës në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës po shërben si shembull i rëndësishëm për vende të tjera të prekura nga konflikti. Në veçanti, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me Ukrainën dëshmon se praktikat tona po kontribuojnë në mbështetjen dhe fuqizimin e të mbijetuarve edhe përtej kufijve tanë. Nga dhimbja e popullit tonë po lind një forcë që ndihmon edhe popuj të tjerë.

Për herë të parë pas përfundimit të luftës, kemi miratuar dhe po zbatojmë Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale.

Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Për të garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces, në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, në fillim të procesit ishte angazhuar edhe zonja Shyrete Tahiri, që sot është këtu me ne.

Me ne sot në sallë është edhe zonja Vasfije Krasniqi, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, madje një ndër gratë më të votuara. Këto janë dëshmi të rritjes së mbështetjes shoqërore dhe institucionale. Megjithatë, është thelbësore që kjo mbështetje të mos mbetet simbolike apo e përqendruar, por të zgjerohet dhe të arrijë te çdo e mbijetuar dhe i mbijetuar në çdo cep të Kosovës, duke siguruar qasje të barabartë në drejtësi e në shërbime.

Qeveria e Kosovës në vazhdimësi angazhohet për mbështetje të vazhdueshme për të gjitha kategoritë e dala nga lufta jonë çlirimtare. Me këtë qëllim, nga muaji janar i vitit 2025, kemi ngritur edhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale të luftës.

Bashkërisht, po forcojmë përpjekjet tona për të përkrahur të mbijetuarat e të mbijetuarit. Këtë rrugë, do ta vazhdojmë, sepse duhet ta vazhdojmë së bashku, me përkushtimin e palëkundur për drejtësi.

Të nderuar të pranishëm,

Kjo ditë është rikujtim se nuk do të lejojmë kurrë që dhembja, vuajtja dhe sakrifica e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të shpërfillet. Në këtë ditë, kujtojmë edhe ata që nuk janë më mes nesh, viktima të kësaj arme të egër lufte, kujtimi i të cilëve na obligon të kërkojmë drejtësi pa u ndalur.

Si shtet e shoqëri, ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri më të ndjeshme, më të vetëdijshme, më të përgjegjshme, duke nderuar kujtimin e secilës viktimë dhe sakrificën e mbarë popullit tonë.

Kosova jonë është shtet i së drejtës dhe i drejtësisë. Dhe atë po e përparojmë çdo ditë bashkë, me dashuri të madhe e me besim të plotë në të ardhmen tonë si Republikë demokratike, evropiane, si shtet ligjor e zhvillimor që i bënë bashkë barazinë me solidaritet, por edhe jetesën e gjithsecilit e gjithsecilës me dinjitet.

Të ngjashme