Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për herë të parë pasi ambasadori Jeff Hovenier, njoftoi për sanksionet amerikane ndaj Kosovës, pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.
Diplomati amerikan të hënën njoftoi se Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” dhe se vendi i tij nuk do të lobojë te shtetet mosnjohëse që ato ta ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo pasi, Qeveria Kurti urdhëroi dërgimin e Policisë së Kosovës në komunat veriore, për t’i asistuar kryetarët e rinj që të hynë në ndërtesat komunale.
Ndonëse Hovenier tha se Kurti nuk i ka dëgjuar këshillat e ShBA-së për shtensionimin e gjendjen në komunat veriore, shefi i qeverisë përmes një video-adresimi nuk është zmbrapsur apo tërhequr.
Kësisoj, Kurti tha se kryetarët e zgjedhur në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave dhe janë në shërbim të qytetarëve.
Sipas tij, ata kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë që ai e drejton. Ai shtoi se komuniteti serb duhet të çlirohet nga ekstremistët dhe milicët për të cilët tha se kanë emra të veçantë.
Pavarësisht se nuk i përmendi reagimet e ashpra të sotme nga ambasadori Hovenier, Kurti u shpreh se “Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore”.
“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”, tha ai.
Mes tjerash, Kurti falënderoi gazetarët, Policinë e Kosovës, KFOR-in si dhe qytetarët për mbështetjen, ndërsa të lënduarve nga tensionet e veriut, u uroi shërim të shpejtë.
ADRESIMI I PLOTË:
Të dashur qytetarë,
Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.
Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë.
Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim.
Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore.
E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.
Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti.
Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq.
Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim.
Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.
Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.
Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Dhe falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës për mirëbesimin dhe mbështetjen.