Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot një nga ditët më të rënda të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke veçuar vrasjen e Almës, një foshnje 18 muajshe, e cila u ekzekutua më 25 mars 1999 së bashku me 12 fëmijë të tjerë në Celinë të Rahovecit.
Sipas kryeministrit, atë ditë rreth 500 ushtarë serbë, përfshirë Brigadën e motorizuar 549 të Ushtrisë Jugosllave, hynë me dhunë në fshatin Celinë nga katër drejtime, duke vrarë e masakruar 82 civilë shqiptarë, prej të cilëve 18 u dogjën.
Dhuna e forcave të armatosura serbe, theksoi Kurti, u shtri njëkohësisht edhe në disa zona të tjera të Kosovës, duke lënë dhjetëra viktima civile, përfshirë gra e fëmijë. Vetëm atë ditë u vranë 69 persona në Fortesë, 54 në Brestoc, 46 në Tërnje të Suharekës dhe 20 në Goden të Gjakovës. Në Randobravë të Prizrenit u masakrua familja Pajaziti, ku u vranë tetë anëtarë, përfshirë një nënë me katër fëmijët e saj.
Kryeministri rikujtoi se në fund të marsit 1999, ndonëse bashkësia ndërkombëtare kishte nisur ndërhyrjen për të ndalur gjenocidin, Serbia intensifikoi fushatën e vrasjeve, dëbimeve dhe shkatërrimit sistematik ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë.
“Republika e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojë këto jetë të këputura e fëmijëri të mohuara. Kujtesa institucionale dhe shoqërore është themel i drejtësisë dhe garanci që krime të tilla të mos përsëriten më,” theksoi Kurti.
Ai përfundoi duke nderuar Almën 18 muajshe dhe çdo fëmijë që nuk u lejua të rritet, duke theksuar se emrat dhe jetët e tyre janë pjesë e pandashme e kujtesës kolektive dhe historisë së lirisë së Kosovës.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë që gëzojmë sot. Lavdi!”, përfundon mesazhi i kryeministrit.