Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar 80-vjetorin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit, raporton teve1.info
Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti shkroi rreth kësaj konference për siç thotë ai rëndësinë historike dhe për trashëgiminë politike të saj, për subjektivitetin e pavarur politik të Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje sipas vullnetit politik të popullit të saj.
“Në fshatin Bujan në Malësi të Gjakovës, në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, po merrej një nga vendimet më të rëndësishme për fatin politik të shqiptarëve (jo vetëm) të Kosovës në shekullin e XX. Ishte dita e tretë e Konferencës së Bujanit, që i kishte hapur punimet më 31 dhjetor 1943, në ora 19:00. Nga 61 delegatët e ftuar në konferencë, 49 delegatë kishin arritur tëshkonin në Bujan, nëpër rrugët e siguruara nga Ismet Shaqiri dhe ku u ushqyen me furnizimet e siguruara nga Sahit Bakalli. Shpenzimet e konferencës i kishte marrë përsipër një tregtar nga Shkodra, Tefik Çanga, që kishte shërbyer edhe si prefekt i Ferizajit”, tha ndër të tjera Kurti.