Kurti: Kur pak dyer ishin të hapura për hebrenjtë, qindra u morën nën mbrojtje nga shqiptarët

Prishtinë | 27 Jan 2023 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të Holokaustit kryeministri Albin Kurti ka kujtuar mbi 1.1 milionë njerëzit që u vranë nga nazistët.

Kurti ka thënë se holokausti i ka dhënë forcë dhe njohje ndërkombëtare konceptit “gjenocid” për të emërtuar aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor.

Ai ka përmendur edhe se si qindra hebrenj që ikën nga vende në Evropë u strehuan nga shqiptarët.

“Në vitet aq të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë përndiqeshin gjithandej dhe vriteshin si dhe kur pak dyer ishin të hapura për ta, disa qindra hebrenj të ikur nga vende të ndryshme të Evropës, u morën nën mbrojtje nga shqiptarët dhe u strehuan duke u shpëtuar. Duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia mbi ta, shqiptarët kanë kultivuar një empati të veçantë për këto lloj krimesh që nga koha e Holokaustit”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti ka shtuar tutje se duke nxjerrë mësime nga Holokausti, ndërkombëtarët bombarduan Jugosllavinë më 1999 për ta ndaluar gjenocidin mbi shqiptarët e Kosovës.

“Duke nxjerrë mësime edhe nga Holokausti, ShBA-ja dhe vendet e NATO-s që bombarduan Jugosllavinë më 1999, ndaluan thellimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Atë kohë edhe Izraeli priti dhe strehoi disa dhjetëra refugjatë shqiptarë nga Kosova. 20 vite më pas, Izraeli njohu shtetin e Republikës së Kosovës. Duke i përkujtuar gjithherë, populli dhe institucionet e Kosovës nuk do t’i harrojnë asnjëherë viktimat e Holokaustit, të asaj kohe kur duke strehuar dhe shpëtuar hebrenjtë e ikur, shqiptarët dhanë provën e tyre tashmë të njohur botërisht, si njerëz fisnikë mes kombesh”.

Të ngjashme