Kurti: Ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës, si vit në të cilën është arritur 10 miliardëshi

Prishtinë | 30 Dhj 2024 | 12:19 | Nga Hasan Hoti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit, krahasuar me vitin 2021, ekonomia vendëse është rritur për rreth 30 për qind, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën vjetore, ku u shpalos mbështetja e bizneseve gjatë vitit 2024 dhe planet për vitin 2025, Kurti foli për arritjet gjatë qeverisjes së tij.

“Trendet e viteve të fundit të rritjes ekonomike na dëshmojnë se nga përpjekjet tona të përbashkëta vendi ynë ka treguar një rritje mesatare prej 6.6 për qind të BPV në këto katër vite. Kemi dyfishim të eksporteve, përmirësim të ndjeshëm të raporteve eksport-import prej 1 me 9 në rreth 1 me 6. Kemi edhe dyfishim të investimeve të huaja, me ç’rast mesatarja e investimeve të huaja është 664 milionë euro, ose dy herë më e lartë se mesatarja vjetore e periudhës 2007-2020”, tha ai.

Kurti tha se ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilën është arritur 10 miliardshi.

“Në përgjithësi ekonomia e Kosovës është rritur dhe ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilën është arritur 10 miliardshi. Sivjet krahasuar me vitin 2021, kemi një rritje të ekonomisë së vendit tonë për rreth 30 për qind. Ne jemi përpjekur që këtë rritje ta ndajmë me kategoritë që më së shumti kanë nevojë si: fëmijët, nënat, pensionistët, studentët por gjithashtu edhe me bizneset. Në vitin 2020, faturat e papaguara i kemi gjetur për mallra dhe shërbime nga operatorët ekonomikë kanë pasur vlerën e 141 milionë euro”, u shpreh Kurti.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se Kosova me treguesit ekonomik në rritje është më mira në rajon.

Si sukses për vitin 2024, ajo e ndau edhe marrëveshjen me CEFTA-në dhe përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un.

“Unë sot dua të ju njoftoj veç për arritjet që keni si zbatim i politikave industriale që zhvilluam së bashku me ju e me shoqatat e juaja industriale ku kjo politikë tashmë është e integruar edhe në planin e rritjes së Bashkimit Evropian… Kosova me treguesit e rritjes ekonomike është më e mira në rajon dhe kemi një obligim të madh përpara nesh sidomos integrimet evropiane që janë përmes masave e planeve të rritjes së Bashkimit Evropian, ku Kosova së bashku me sektorin privat pritet të kontribuojë më shumë në industrinë e gjelbër. Për të lehtësuar eksportet unë sot ju njoftoj se vendimet e fundit të Qeverisë morëm vendimin për marrjen e autorizimit të nënshkrimit të marrëveshjes CEFTA, ku kemi arritur marrëveshje për tregtimin e mallrave dhe shërbimeve sipas parimeve të marrëveshjes”, u shpreh Hajdari.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Zef Dedaj, ka thënë se përgjatë vitit 2024 si KIESA kanë mbështetur rreth 500 biznese në vlerë prej 7.3 milionë euro.

“34 ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe 15 start up kanë përfituar në kuadër të grand skemës në vlerë 1.9 miliard euro. Afro 500 biznese janë mbështetur nga KIESA. Vlera totale e mbështetjes është 7.3 milionë euro. Në përfundim kemi Ligjin për Parqet Industriale. Të gjitha bizneset që kanë interesim në rritjen e kapaciteteve prodhuese mund të vendosen në këto parqe”, ka thënë Dedaj.

Të ngjashme