Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës që i ka bërë Doganës së Kosovës, ka thënë se kjo vizitë në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për këtë institucion, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, shefi i ekzekutivit u shpreh se rritja e të hyrave nga Dogana e Kosovës është 14 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Kurti ka thënë se vlera e konfiskimeve dhe sekuestrimeve për këtë vit ka shkuar në 5 milionë, nga 2 milionë sa ishte një vit më parë.
“Unë jam i kënaqur që patëm një vizitë në Dogana e Kosovës dhe kjo vizitë është mirënjohje dhe falënderim për udhëheqjen e Doganës. Policia dhe Dogana janë thelbi i sigurisë së shtetit tonë dhe kur kjo siguri i shtohen të mirat, atëherë nuk mund të themi se nuk shpreh gatishmëri më të shtuar në vijim”.
“14 për qind janë rritur të hyrat krahasuar me vitin e kaluar, vjet kishim 2 milionë euro konfiskime ndërsa këtë vit kemi pesë milionë euro. Edhe besueshmëria tek qytetarët për Doganën është rritur”, tha Kurti.
Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati ka lavdëruar punën e Doganës së Kosovës ku tha se konfiskimet e mallrave të kontrabanduarve, ditëve të sotme, janë bërë “pothuajse të përditshme”.
“Konfiskimet tashmë janë bërë çështje pothuajse të përditshme, derisa në të kaluarën rrallë herë është dëgjuar për to. Kjo është mesazh për ata që provojnë me ba kontrabandë. Është mesazh që tashmë nuk është e mundshme një gjë e tillë dhe kushton shumë më shtrenjtë sesa të kalojnë në kanalet zyrtare. Për këtë falënderoj ekipin që është e angazhuar drejtpërdrejt në luftën ndaj kontrabandës në Doganën e Kosovës”
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, tha se të hyrat në këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar.
“Ne e njoftuam kryeministrin se dogana vazhdon të ketë performancë më të mirë se vitin, ku këtë vit kemi të hyra 14 për qind më shumë se vitin e kaluar. Gjithashtu e njoftuam për rezultatin në mbrojtje të shoqërisë”, tha Llugaliu.