Kurti lavdëron punën e Policisë: Janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale, u arrestuan mbi 3 mijë e 800 persona

Vushtrri | 15 Nën 2023 | 13:00 | Nga Erolinda Suhogrella Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka shënuar të mërkurën “Ditën e informimit për komunitetet”, raporton Ekonomia Online. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë, kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Akademia e Sigurisë Publike sjellë dije në punën e secilit për sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, profesionalizimi i kësaj Akademie është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve. Ai më pas ka numëruar punët e Policisë, duke thënë se janë organizuar mbi 1 000 operacionale policore, janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale  dhe janë arrestuar mbi  3 mijë e 800 persona.

“Bashkë po angazhohemi që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e të forcojmë kapacitetet tona për ta mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë zhvilluar mbi 1 mijë operacione kundër krimit e kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratorë të drogës dhe janë arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona”.

“Duke qenë partnerë serioz e të besueshëm për aleatët tanë, po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë. Duke i vënë në funksion talentet, shkathtësitë dhe profesionalizimin, nga të gjithë qytetarët për dallim, për institucionet tona të sigurisë do të arrijmë më të mirën në shërbim të mbrojtjes së sigurisë dhe paqes. Për këtë arsye, jam i lumtur që jam me të rinjtë e komuniteteve të cilët kanë shprehur interesim për mundësitë që i ofron Akademia për Siguri Publike nga Ferizaj, Fushë Kosova, Graçanica, Lipjani, Gjakova, Mitrovica, Obiliqi, Shtimja e Prishtina”.

I pari i qeverisë, para të rinjve të komuniteteve tha se uron që ta shfrytëzojnë këtë rast për të mësuar rreth mundësive të ofruara për procesin e aplikimit që ta bëjnë Akademinë për Siguri Publike, pjesë të planeve dhe ëndrrave të tyre.

“Besoj që në këtë mënyrë, ju mund të përfitoni shumë, por e di që edhe Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi i juaj. Akademia e Sigurisë Publike sjell dije në punën e secilit për siguri të të gjithë qytetarëve”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dyert e institucioneve të sigurisë mbesin gjithmonë të hapura për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim, që siç tha ai për rrugëtimin e përbashkët për forcimin e shtetit.

“Institucionet tona të sigurisë kanë gjithmonë dyert e hapura për ata e ato që duan të jenë faktor në ofrimin e sigurisë. Në historinë e themelimit të institucioneve tona dhe në ngritjen e kapaciteteve tona  pjesë e pandashme është kontributi nga të gjitha komunitetet. Diversiteti është vlerë. Jam i lumtur që kemi pjesëtarë nga të gjitha komunitetet në të gjitha nivelet”.

“Akademia për Siguri Publike ka ngritur gjenerata të tëra që sot janë pjesë e institucioneve. Ky takim i përbashkët është një mundësi e mirë e njoftimit tuaj me punën e institucioneve të sigurisë dhe me mundësinë e bashkimit tuaj me ne në këtë rrugëtim të përbashkët në forcimin e shtetit tonë. Radhët tona mirëpresin secilin prej jush”.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiqi, tha se të rinjtë e të gjitha komuniteteve e kanë vendin në institucionet e vendit, sidomos në ato të sigurisë, raporton EO.

“Kjo shkollë, kjo Akademi mua më simbolizon një fillim një bashkëpunim për të gjithë, për një përparim për një zhvillim dhe për të ardhmen”.

“Pasi jemi në këtë vend nuk e di se ku do te ishte vendi më i përshtatshëm për ju rini që të jeni këtu. Çka do të thotë për mua kjo Akademi është besueshmëri, zgjedhje ardhmëri”.

Kastriot Jashari, zëvendësuesdrejtori i përgjithshëm i AKSP-së, tha së Akademia tash e 23 vjet ka kultivuat frymën për bashkëpunim më komunitete.

“Aknemia tash 23 vite, e ka kultivuar frymën e bashkëpunimit me komunitete duke i bërë pjesë integrale në të gjitha pjesët. Konsiderojë se Akademia tash e një kohë të gjatë e ka kultivuar bashkëpunimin më komunitete, më vjen mirë që kemi tavolina ndihmëse në Akademinë e sigurisë, ku komunitete mund të marrin informimin më të mirë”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,

I nderuari Ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rashiq,

I nderuari z. Kastriot Jashari, zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,

I nderuari z. Kushtrim Hodaj, kryetar i bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,

E nderuara znj. Kimberly Riffe, këshilltare e Programit të ICITAP-it,

I nderuari z. Habit Hajredini, kryesues i ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian,

Të nderuar përfaqësues të agjencive të sigurimeve publike, student të shkollave të mesme e universiteteve,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që jam sot këtu në Vushtrri, e cila luan rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt kudo që gjenden, nga Gjakova në Kamenicë, e prej Leposaviqit në Dragash, pra që të kemi siguri anembanë territorit të shtetit tonë. Profesionalizimi i kësaj Akademie dhe i stafit të përkushtuar është i rëndësishëm, për mbrojtjen e kufijve tanë, që mallrat që kalojnë atje të jenë të kontrolluara; që kriminelët të identifikohen, të ndëshkohen e rehabilitohen, që të mbrohet jeta dhe prona e qytetarëve tanë, si dhe të menaxhohen rastet emergjente.

Bashkë po angazhohemi që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e të forcojmë kapacitetet tona për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë zhvilluar mbi 1000 operacione policore, kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratore të drogës dhe janë arrestuar mbi 3800 persona. Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.

Në sallë të kësaj Akademie ju e keni sloganin “The police are the people and the people are the police”, “Policia janë populli dhe populli është policia”. Kjo vlen jo vetëm për policinë, por edhe për doganat, shërbimin korrektues, shërbimin sprovues, inspektoratin, si dhe për ata që menaxhojnë rastet emergjente. Andaj është e domosdoshme, që të gjitha komunitetet të cilët janë në Kosovë të jenë të përfaqësuara e të kontribuojnë në institucionet tona.

E di që kemi parë progres në këtë aspekt, në raundin e fundit të rekrutimit në polici, kemi mbi 20% të kadetëve nga të gjitha komunitetet. E di që në Dogana 15% e stafit janë nga komunitetet, si qeveri, vitin e kaluar kemi krijuar Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe e kemi parë ndikimin pozitiv të këtij bashkëpunimi. Duke i vënë në funksion talentet, shkathtësinë dhe profesionalizmin, nga të gjithë qytetarët pa dallim, për institucionet tona të sigurisë, do të arrijmë më të mirën në shërbim të mbrojtjes së sigurisë dhe paqes.

Për këtë arsye, jam i lumtur që jam këtu me të rinjtë e komuniteteve të cilët kanë shprehur interesim për mundësitë që i ofron Akademia e Sigurisë Publike. Nga Ferizaj, Fushë Kosova, Graçanica, Gjakova, Lipjani, Mitrovica, Obiliqi, Shtimja, e Prishtina, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj sot.

Uroj që ta shfrytëzoni këtë rast të shkëlqyer për të mësuar rreth mundësive të ofruara dhe për procesin e aplikimit, që ta bëni Akademinë e Sigurisë Publike të Kosovës pjesë të planeve dhe të ëndrrave tuaja për të ardhmen. Besoj që në këtë mënyrë ju mund të përfitoni shumë, por e di që edhe Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi juaj. Akademia e Sigurisë Publike sjell dije në punën e secilit, për siguri të të gjithë qytetarëve.

Ju faleminderit!

Të ngjashme