Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në prezantimin e punës së 100 ditëshit të Qeverisë tha se kanë marrë 142 vendime e kanë kaluar shumë projektligje, raporton Ekonomia Online.
Ai ka folur edhe për situatën me pandeminë në vend derisa tha se kur e kanë marrë detyrën nuk e kanë gjetur asnjë vaksinë.
“Sot janë bërë 100 ditë të qeverisë dhe jam i lumtur që të ndaj me ju procesin që kemi shënuar por dhe rrugëtimin e rëndësishëm që kemi filluar së bashku. 142 vendime i kemi marrë dhe kemi kaluar projektligje të rëndësishme. U zotuam se do të bëjmë dy gjëra me urgjencë, së pari ndalja e rritjes së rasteve të reja dhe sigurimi i vaksinave sa më shumë. Sot kemi 9 raste të reja, nuk gjetëm asnjë vaksinë, ndërsa sot kemi 2 milionë vaksina ta siguruara afër 400 mijë kanë arritur”,
“Pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, ekonomia është hapur. Pandemia ende nuk ka mbaruar rreziku nga virusi mbetet e pranishëm. Eksportet janë rritur për 66%, të hyrat buxhetore për 30%”, tha Kurti.
Kurti tha se buxheti i rishikuar ka krijuar mundësinë për krijimin e një pakoje të re për Rimëkëmbje Ekonomike.
Mes tjerash kreu i ekzekutivit tha se me 1 korrik finalizohet dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Buxheti i rishikuar ka mundësuar dizajnimin e një pakoje të re, pakoja e re parasheh kontribut në ekonomi me vlerë 1,3 miliardë euro, 50 milionë për krijimin e vendeve të reja të punës, 112 milionë për shërbimet publike, 50 milionë për familjet”.
“…me 1 korrik finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 18-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës
Të nderuar zëvendëskryeministra Besnik Bislimi dhe Emilija Rexhepi,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë të Kosovës kudo që ndodheni,
Sot janë bërë 100 ditë të qeverisë që doli si rezultat nga zgjedhjet plebishitare të 14 shkurtit dhe unë jam i lumtur që të ndaj me ju progresin që kemi shënuar në këta 3 muaj, por edhe rrugëtimin e rëndësishëm që kemi filluar së bashku.
Në këto 100 ditë ne kemi marrë 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje e dokumente të rëndësishme, të cilat kanë hedhur bazat për reforma afatgjata dhe themelet për shtet të drejtë e zhvillimor.
Kur e bëmë betimin në Kuvend më 22 mars ne thamë se prioritet kryesor është menaxhimi i pandemisë në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish të cilat po i humbnim si pasojë e keqqeverisjes më shumë se sa nga pandemia. U zotuam se do të bëjmë dy gjëra me urgjencë: së pari, do të sillnim një strategji me ndalë trendin në rritje të infektimeve të reja dhe ta kthenim mbrapshtë trendin e tmerrshëm të vdekjeve si pasojë e Covid-19 deri në eliminim të tij; dhe, së dyti, të sigurojmë vaksina sa më shpejtë e sa më shumë.
Në ditën kur e pranuam detyrën kishim 781 raste me infektime të reja me COVID-19 dhe 17 vdekje, kurse sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Nuk gjetëm asnjë vaksinë, kur u rikthyem, dhe për më keq, asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre, ndërkaq sot kemi 2 milionë vaksina të siguruara, afër 400 mijë sosh kanë arritur dhe kemi mbi 200 mijë doza të administruara.
Gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm. Në muajin mars deri në qershor kemi ulje prej 99% të rasteve të reja, 97% ulje të rasteve aktive dhe 86% ulje të rasteve të hospitalizuara.
Ky është sukses të cilit duhet t’i gëzohemi të gjithë sepse sot ndjehemi më të sigurt të takojmë njëri-tjetrin, të shijojmë ecjet dhe ajrin e pastër, me më pak frikë e me më shumë besim në institucionet tona që të bëjnë punën e duhur.
Natyrisht se sot, për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë, suksesi mund të merret si diçka e garantuar që do të ndodhte vetvetiu, por nëse e kthejmë shikimin vetëm 100 ditë mbrapa e kuptojmë dallimin që nuk është më pak se kontrast dhe ndryshimin që është më shumë sesa përmirësim.
Andaj me kënaqësi raportojmë se pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, vaksinat janë siguruar dhe së bashku kemi përmbushur premtimin bazë ndaj qytetarëve.
Sot është evidente se ekonomia është hapur pothuajse në tërësinë e saj dhe qytetarëve i është kthyer një formë e normalitetit, duke lehtësuar kështu edhe peshën e rëndë që izolimi dhe distanca sociale kishin në shëndetin tonë mendor.
Por pandemia ende nuk ka mbaruar. Rreziku nga virusi mbetet i pranishëm dhe ne duhet të sillemi me përgjegjësi dhe kujdes, duke respektuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore.
Pas pandemisë janë dy tema të cilat i kam përsëritur shpesh e për të cilat qytetarët na kanë votuar masivisht që ne të punojmë. E ato janë Drejtësi dhe Punë.
Në këto 100 ditë, ekonomia jonë i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë të mirë dhe masave tona ndaj pandemisë.
Për periudhën e njëjtë, në krahasim me vitin e kaluar, eksportet janë rritur për 66%, aktiviteti ekonomik për 15%, të hyrat buxhetore për 30%. Në pesëmujorin e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës për herë të parë që nga themelimi i saj ka raportuar mbi 500 milionë euro të hyra për buxhetin e Kosovës, ndërkaq Administrata Tatimore e Kosovës ka raportuar se janë inkasuar rreth 60 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar.
Bazuar në këtë, Qeveria ka miratuar projektbuxhet për vitin 2021 prej 2.5 miliardë euro sipas së cilit projektohet rritje ekonomike për 7.9%, për dallim nga 5.2% siç parashihej në fillim të vitit, dhe në të cilin buxhetit do t’i shtohen 155 milionë euro më shumë nga çfarë planifikohej. Ky nivel parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023.
Kjo rritje dhe ky ndryshim na jep shpresë se ditë më të mira po na presin. Natyrisht këto ndryshime pozitive janë rezultat i shumë faktorëve, por s’ka dyshim se rritja e besimit në institucione dhe punën e qeverisë, optimizmi dhe shpresa e qytetarëve për qeverinë e re dhe reformat që kemi filluar, formalizmi gradual i ekonomisë por edhe intervenimet tona në ekonomi përmes pakos financiare janë faktorët kryesorë.
Buxheti i rishikuar ka mundësuar gjithashtu edhe dizajnimin e një pakoje të re që mundëson ringjalljen ekonomike të vendit, dhe krijon bazën për një rritje të qëndrueshme dhe të punësimit për vitet në vijim.
Pakoja e re parasheh kontribut në ekonomi në vlerë prej 1,1 miliardë euro dhe përmban një sërë masash dhe investimesh. Një pjesë e tyre janë të përqendruara si vijon:
-100 milionë euro për infrastrukturë moderne dhe mbrojtje të ambientit.
Vendimin për masat e reja për menaxhimin e pandemisë e shoqëruam me një pako financiare të qeverisë në shumë prej 20 milionë euro të cilat u ndanë për mjekë, infermierë dhe punonjës shëndetësorë, biznese të vogla dhe punëtorë, policë dhe përfitues të skemave sociale dhe pensionale.
Nga kjo shumë :
Në përputhje me zotimet dhe Programin e Qeverisë kemi themeluar grupin punues për dizajnimin dhe operacionalizimin e skemës për punësimin e garantuar të të rinjve të moshës 18-25 vjeçare. Pagat e atyre që punësohen për herë të parë do të subvencionohen nga qeveria për një vit.
Është marrë vendimi për emetimin e letrave me vlerë, “Bono të Diasporës”, me të cilat u mundësohet bashkatdhetarëve tanë që kursimet dhe kapitalin e tyre t’i orientojnë në investime zhvillimore që do të krijojnë vende të reja të punës në Kosovë e kthim në investim për ata.
Në përputhje me zotimet tona për drejtësi janë bërë hapa të cilët kanë hedhur bazën e një reforme të rëndësishme e cila synon të sjellë profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri në sektorin e drejtësisë, me theks te luftimi i korrupsionit. Në këtë drejtim:
Suspendimi i zyrtarëve publik me aktakuza, tashmë është paraparë në Kodin e ri të Procedurës Penale, i cili është një hap tjetër kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.
Të gjitha këto, dëshmojnë vullnetin dhe veprimet tona në drejtim të krijimit të kushteve me të lehta për prokuroret dhe gjyqtarët, e të cilat do të lehtësojnë zbardhjen e keqpërdorimeve të shumta dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Ne do të jemi të pakompromis dhe nuk do të ndalemi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sa i përket avancimit të Drejtësisë Komerciale dhe krijimit të klimës së përshtatshme për investitorë të huaj, ne tashmë kemi miratuar Projektligjin për Gjykatën Komerciale dhe pas miratimit në Kuvend, do ta kemi të funksionalizuar Gjykatën Komerciale, si një adresë të vetme për zgjidhjen e kontesteve biznesore.
Ndërkohë është duke u finalizuar Kodi Civil dhe Kodi i ri i Procedurës penale, projektligji për Deklarimin e Pasurisë, për Kompensimin e Viktimave të Krimit, për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, si dhe për Shërbimin Korrektues e për Shërbimin Sprovues e projektligje të tjera.
Gjithashtu janë hartuar versionet e para të projektligjeve për Personat e Zhdukur, plotësim/ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për Ndihmën Juridike Falas për Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, si dhe ai për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre dhe ligje të tjera.
Është punuar edhe në fushat tjera.
Në fushën e mbrojtjes sociale Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka filluar pastrimin e listave të përfituesve të skemave pensionale për të parandaluar keqpërdorimet.
Në sektorin e rendit dhe sigurisë kemi dërguar mesazh se Kosova nuk mund të jetë as burim e as tranzit për krimin e organizuar, ku për 100 ditë kemi kryer 101 operacione, 221 bastisje, 933 arrestime, janë shkatërruar 8 grupe kriminale dhe janë konfiskuar 7 milionë euro. Po ashtu kemi mbyllur me sukses bashkëpunimin me autoritetet e Italisë, DEA-së Amerikane dhe Shqipërisë operacionin “dërgesë e kontrolluar”, i koduar “Adriatiku”, që rezultoi me gjetjen e rreth 400 kg substancë narkotike të llojit kokainë.
Kemi filluar de-politizimin dhe de-partizimin e institucioneve të republikës, duke shkarkuar persona të lidhur me grupe të interesit, duke emëruar dhe zgjedhur profesionistë siç është emërimi i drejtorit të ri të AKI-së, dhe drejtorit të ri të Doganës.
Për të çliruar ndërmarrjet publike përmes të cilave zyrtarë të shumtë u pasuruan duke zhvatur e duke i futur ato në borxh, kemi shkarkuar bordet ekzistuese dhe kemi emëruar bordet e përkohshme në Trepça Sh.A; Korporatën Energjetike e Kosovës/KEK Sh.A; Postën e Kosovës Sh.A; Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës INFRAKOS Sh.A., KRU “Prishtina” dhe NPH “Ibër Lepenc”.
Po ashtu, janë shpallur konkurse për zgjedhjen e bordeve në Trepça Sh.A; Posta e Kosovës Sh:A; KRU Hidromorava Sh.A. Gjilan; pastaj, për kryetar dhe dy anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik/OSHP; dhe, për pesë anëtarë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Në këto 100 ditë kemi treguar qartë se qytetarët do të informohen për çdo cent që shpenzohet nga taksat e tyre. Në këtë drejtim është bërë publikimi i listës së 50 përfitueseve më të mëdhenj nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike të vitit të kaluar dhe 50 përfituesit më të mëdhenj të pakos fiskale emergjente të këtij viti.
Në sektorin e industrisë dhe tregtisë
Në sektorin e bujqësisë janë marrë veprime për të parandaluar keqpërdorimin me grante e subvencione dhe për t’u siguruar se përfituesit nga taksat e qytetarëve janë bujqit e fermerët e vërtetë dhe po punohet që të bëhet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
Në sektorin e infrastrukturës mjedisit dhe planifikimit hapësinor për herë të parë është iniciuar hartimi i planeve të menaxhimit të pellgjeve lumore për lumenjtë Ibër, Morava e Binçës dhe Lepenc si dhe është konceptuar një program master mbi Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore.
Punimet në infrastrukturë janë intensifikuar duke kërkuar zbatimin me përpikëri të kontratave dhe afateve kohore. Kanë vazhduar punimet në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë, dhe Zhur – Dragash – Brod.
E për premtimin tonë për banim të përballueshëm kemi arritur marrëveshje për fillimin e studimit të fizibilitetit për banim të përballueshëm dhe social në bashkëpunim me UN-Habitat.
Në sektorin e energjisë
Në sektorin e arsimit, nga buxheti i miratuar për komunat për vitin që vjen, do të sigurohen 100 asistentë për fëmijë me nevoja te veçanta, shujta ditore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, përkrahje e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore, pagesa për punë praktike profesionale për nxënësit e arsimit dhe aftësimit profesional si dhe përfshirje më e madhe e fëmijëve në edukimin e hershëm.
Në sektorin e kulturës, rinisë dhe sportit pas viteve varësi totale nga Ministria, ka filluar procesi i reformimit të institucioneve të kulturës siç janë Teatri Kombëtar, Baleti Kombëtar, Biblioteka Kombëtare dhe Arkivi Shtetëror, për t’u mundësuar menaxhim autonom financiar përmes llogarive bankare, kodeve buxhetore dhe zyrtarëve financiarë.
Në politikën e jashtme kemi filluar reformën në shërbimin diplomatik që mundëson më shumë diplomatë të karrierës në mënyrë që të rrisim cilësinë e përfaqësimit dhe dinjitetin e Republikës.
Janë marrë edhe vendime tjera nga qeveria jonë:
U jam shumë falënderues dhe mirënjohës për punën që keni bërë në këto 100 ditë, për bashkëpunimin korrekt dhe aktiv që kemi pasur me njëri tjetrin, por ky është veçse fillimi. Vend për vetëmjaftueshmëri dhe relaksim nuk ka.
Nuk ka sepse qytetarët presin rezultate sa më shumë e sa më shpejtë.
E ne e dimë se sa e vështirë është jeta për shumicën e qytetarëve të vendit tonë.
Qytetarët duan vende të reja të punës.
Prindërit duan të ardhura të sigurta për familjen që të mund t’i paguajnë faturat në fund të muajit, të sigurojnë ushqimin dhe gjërat elementare dhe të jenë në gjendje të kursejnë për të ardhmen.
Duan qasje në shëndetësi që funksionon dhe ku shërohen pa frikën e bankrotimit vetëm pse sëmuren.
Të rinjtë duan hapësirë për zhvillim, shkolla dhe universitete që i pajisin me dije që i hapin dyert e mundësisë në Kosovë e kudo në botë. por edhe një garanci se ata mund të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhme këtu në vendin e tyre.
Pensionistët duan pensionim të dinjitetshëm me pensione që nuk përdhosin dinjitetin e tyre dhe mundin e tyre me dekada. Duan kujdes shëndetësor, parqe e ajër të pastër.
Kërkesat dhe pritjet e qytetarëve nuk kanë ndryshuar në këto 100 ditë, prandaj edhe themi se nuk ka vend për relaksim.
Zotimet tona ndaj qytetarëve dhe pritjet e tyre ndaj nesh duhet të bëhen udhërrëfyesi i punëve tona.
Duhet t’u themi të vërtetën çdoherë e përherë, edhe kur punojmë mirë por edhe kur gabojmë, sepse ata na kanë zgjedhur t’u tregojmë jo çfarë duan të dëgjojnë, por çfarë duhet. Pra të vërtetën.
Andaj unë dua që suksesin tonë ta masim jo me sa mirë po qeverisim në krahasim me qeveritë e kaluara por se sa mirë po qeverisim në krahasim me pritjet e qytetarëve.
Sepse, qytetarët janë ata vetë që nuk e bëjnë këtë krahasim. Ata e dinë se qeveritë e mëparshme nuk krahasohen me këtë qeverinë tonë që i ka ministrat e përgatitur e të ditur, të pakorruptuar e të përgjegjshëm.
Gara jonë është me të ardhmen jo me të kaluarën e këto janë 100 ditët e kthesës drejt zhvillimit.
Ju faleminderit.