Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lëshuar pe para presionit ndëkombëtar dhe ka zgjatur edhe njëherë afatin për ndërrimin në RKS të targave “të paraluftës” që i bartin kryesisht serbët.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të premten në mbrëmje, vetëm tri ditë para skadimit të afatit, Kurti ka treguar se shtyhet afati deri më 21 prill 2023.
Sipas tij, vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave “ilegale” të mbetet në fuqi, megjithatë janë bërë disa ndryshime.
Ai i ka shpjeguar se nga 1 deri më 21 nëntor do të jetë në fuqi “masa e qortimit”, nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes; dy muajt në vazhdim – do të lëshohen “targa provuese”, ndërsa pas 21 prillit 2023 targat KM, GL do të konfiskohen.
“Kemi ardhë në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve të këtij vendimi. Më konkretisht, për tri javë, duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk do të mund të lejohen targa të tjera”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
“Targat për KM, GL janë targa ilegale. Qeveria e Kosovës përmes vendimit ka obliguar ata që t’i kthejnë në targa RKS. Ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme, edhe me ministrinë e linjës. Dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të zbatimit të këtij vendimi”.
“Pas datës 21 prill 2023 s’do të ketë më targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
LEXO EDHE: