Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dërgoi një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën e fton për koalicion qeverisës.
“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu me së shumti koalicionin me LDK-në, pse të mos e bëjmë?
Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?, thuhet veç të tjerash në letrën e Kurtit dërguar Abdixhikut.
Kurti nuk flet për ftesën Abdixhikut, Murati: Jemi të interesuar për marrëveshje politike që zhbllokon situatën
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kaloi në heshtje pyetjet e gazetarëve, të cilët kësaj here, vunë theksin te ftesa më e re e Kurtit drejtuar kryetarit të LDK-së për koalicion, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se letra iu dërgua kryetarit të LDK-sëpër koalicion qeverisës, pasi që po shihet qartë se është e pamundur të arrihet ndryshe te zhbllokimi i kësaj situate të krijuar.
“Çështja e ftesës për bashkëpunim ekziston në vazhdimësi. Jemi të hapur për bashkëpunim. Për faktin që ka pasur deputetë nga LDK-ja që janë deklaruar se për të pasur bashkëpunim të tillë nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit, por duhet të ketë një dakordim politik, ka rrjedhur edhe ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar Lumir Abdixhikut që në këtë rast fton për të diskutuar për bashkëpunim politik, në mënyrën, siç ata pretendojnë, ne jemi të gatshëm si fitues të zgjedhjeve që të gjejmë mënyra. Shpresojmë të ketë gatishmëri edhe nga subjektet tjera për ta konstituar Kuvendin dhe për t’i formuar institucionet e vendit. Ftesa është mbi bazën e asaj se çka kanë deklaruar vetë përfaqësuesit e LDK-së, që kërkojnë marrëveshje politike. Për këtë ka ftuar edhe kryeministri Kurti që të ketë marrëveshje politike”, tha Murati.
Abdixhiku për ftesën e Kurtit: Keni durim, qëndrimet e LDK-së tashmë i dini
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke folur për ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për koalicion, tha shkurt se do të kthejë përgjigje, pa dhënë ndonjë detaj për qëndrimin që do të marrë LDK-ja, raporton Ekonomia Online.
“Asnjë diskutim, ishim në drekë me deputetë. Më lejoni të shkoj në zyrë, ta shoh letrën. Do të kthej përgjigje me kohë. Do të lus edhe njerëzit tanë që të mos e trajtojnë me arrogancë. Do të kemi përgjigje zyrtare si i takon një partie”, tha Abdixhiku.
Edhe pasdite pas orës 15.00, kryetari i LDK-së komentoi fare shkurt ftesën për koalicion.
“Keni durim. Do të jem transparent si çdo herë tjetër, Qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, tha Abdixhiku.
Krasniqi: Kurti s’dëshiron të dalë nga zyra e kryeministrit, ju siguroj që do ta bëjmë qeverinë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kurti nuk po dëshiron të dalë nga zyra e Kryeministrit, në të cilën edhe ashtu po qëndron në mënyrë joligjore, raporton Ekonomia Online.
“Ne e ftojmë Vetëvendosjen të matet, ta ndërrojë kandidatin dhe më pas vjen qeveria. Ju siguroj që do ta bëjmë qeverinë. Frika nga humbja e pushtetit e ka sjellë këtë situatë. Kurti nuk po dëshiron të dalë nga zyra e Kryeministrit, në të cilën edhe ashtu po qëndron në mënyrë joligjore”, tha Krasniqi pas dështimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit.
Haradinaj: Letra e Kurtit për Abdixhikun është dashur menjëherë pas zgjedhjeve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, komentoi letrën që Kurti ia dërgoi sot kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke i kërkuar koalicion. Haradinaj tha se kjo është dashur menjëherë pas zgjedhjeve e jo të priten 90 ditë, raporton Ekonomia Online.
“Është situatë e rëndë në Kosovë. Po i harrojmë temat e tjera. Rritja e çmimit të energjisë është bërë e rëndë për prodhuesit dhe ne jemi vend që importojmë shumë. Do ta kenë zor t’i mbajnë punëtorët. Jemi duke humbur kohë, duhet të kujdeset dikush për ta”, tha Haradinaj.
Ai tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë, është një kandidat unifikues.
“Si fillim Kurti do ta jepte një shenjë të mirë që e ka ndërmend që të ecë përpara, duke gjetur një kandidat që LDK-ja mund ta votojë, PDK-ja ose ne”, tha Haradinaj.
Limaj: Duhen kompromise politike, përgjegjësinë për konstituim e kanë tri partitë e para
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se vonesat në konstituimin e institucioneve janë të panevojshme, duke shtuar se për të dalë nga situata e krijuar duhet të gjendet rrugë përmes marrëveshjeve politike.
“Rrugët gjenden përmes marrëveshjeve politike, përmes kompromiseve, Kosova duhet ta shohë një shumicë parlamentare, nëse partia e parë nuk mund ta bëjë shumicën, atëherë le ta bëjnë të tjerët një shumicë, përgjegjësinë e kanë tri partitë e mëdha, që të marrin iniciativë për ta nxjerrë vendin nga kriza”, tha Limaj, pas dështimit të 11-të për konstituim të Kuvendit.
