Kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar punën që është bërë për të jetësuar Festivalin e Këngës që po mbahet në Radio Televizionin e Kosovës.
Ai tha se kjo është një ngjarje e madhe për kulturën, por që ka rëndësi edhe për gjithë kombin. Kurti këtu përmendi edhe një gjë tjetër pozitive që erdhi nga puna për të organizuar këtë festival.
“Është një ngjarje shumë e madhe kulturore edhe për RTK-në edhe për MKRS-në edhe për shtetin e Qeverinë tonë dhe për mbarë kombin shqiptar. Është punuar shumë që të vihet në këtë ditë dhe kjo ngjarje e madhe e ka për ngjarje në vete edhe vendin, meqenëse po hapet një sallë që siç kam marrë vesh nga Adi Krasta, i kanë nxjerrë 130 kamionë bërllog nga këtu. Nuk e di tash sa ka arritur numri i kamioneëve [që janë hequr]”, ka thënë Kurti.
Kryeministri tha se festivali është i rëndësishëm edhe për atë që bën bashkë artistët.
“Është shumë e rëndësishme që po bëhen bashkë artistët për kulturën e qytetarëve dhe gjithashtu kultura jonë po bëhet gjithnjë e më shumë artistike. Sepse kultura është ajo zakonshmëria, njëtrajtshmëria e një populli e shoqërie, që gjithnjë e më shumë po bëhet më artistike dhe këtu kontribut të madh për RTK-në dhe Ministrinë e Kulturës”.
Kurti u pyet nëse Qeveria e tij do bëjë më shumë për këtë sektor dhe në përgjigje tha se edhe pse kanë bërë më së shumti deri tani, s’është e mjaftueshme.
“Kurrë s’është bërë më shumë, por sado shumë ne e dimë që nuk është mjaft, prandaj çfarëdo që bëjmë e bëjmë në dritën e asaj që do të vazhdojmë në këtë rrugë ku arti e kultura tek ne do të mbështeten, sepse janë të domosdoshme edhe për edukimin e rinisë, por edhe për mirëqenien shpirtërore e intelektuale të popullit tonë”.