Kurti: Marrëveshjet politike nuk duhet të jenë identike me rezultatin zgjedhor, por të afërta

Prishtinë | 08 Gus 2026 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur pas ndërprerjes së seancës, duke komentuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton Ekonomia Online.

I pyetur nëse është i gatshëm të lëshojë pe për kushtet e tij dhe të LDK-së, Kurti tha se është e nevojshme që marrëveshja politike të jetë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne kemi kërkuar takim atij. Dhe siç e kam theksuar edhe dje, ka një shkëputje drastike mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të tyre. Ne kemi 53 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 18. Unë nuk them që marrëveshjet politike duhet të jenë identike me rezultatin zgjedhor, por duhet të jenë të afërta. Andaj na duhet një marrëveshje që e reflekton rezultatin zgjedhor”, deklaroi Kurti.

Ai tha se rezultati i zgjedhjeve të fundit nuk mund të shpërfillet, pasi ato janë mbajtur vetëm dy muaj më parë.

“Sikur rezultati zgjedhor për marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës të ishte një rezultat para dy viteve, atëherë me të vërtetë mund të thoshim se gjërat kanë ndryshuar dhe zgjedhjet e radhës janë më afër sa për t’u shfrytëzuar. Por është rezultat i para dy muajve. Nuk mund ta abstrahojmë as deformojmë rezultatin e para dy muajve”, tha ai.

Kurti theksoi se dialogu politik nuk duhet të kufizohet vetëm te LDK-ja, duke u bërë thirrje edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që të zhvillojnë dialog me fituesin e zgjedhjeve.

“Por ajo që është jetike tash, jo vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe PDK-ja, edhe AAK-ja, si përfaqësues të popullit në përgjithësi e të votuesve të tyre në veçanti, duhet të dialogojnë me fituesin e zgjedhjeve, me kryeministrin në detyrë”, u shpreh Kurti.

Të ngjashme