Kurti mbron draft-statutin: I pakrahasueshëm me të tjerët, e pranon shtetin

Prishtinë | 14 Nën 2023 | 23:06 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur draft-statutin e fundit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të pakrahasueshëm me versionet e mëparshme, duke argumentuar që i njëjti e pranon shtetin e Kosovës.

“Më datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe aty me 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft-statut. Është e qartë se ai draft-statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015”, ka thënë Kurti në ATV.

“Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, meqenëse natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”.

Kurti po ashtu ka folur për hisen e Serbisë për ta respektuar këtë marrëveshje, e që thotë se duhet të përballet me ndëshkim.

“Nuk më përket vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur. Nëse marrëveshja është valide, e patjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkel do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi Serbia më 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës apo edhe atëherë kur po bën sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Të ngjashme