Kurti më 2015: “Zajednica” na bosnjëzon dhe ia jep Serbisë çerekun e territorit të Kosovës

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dje në Bruksel gjatë takimit të nivelit të lartë në ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian janë pajtuar se plani i tyre është i duhuri për ecje përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në ndërkohë, pika e dhjetë(10) e këtij plani, obligon palët në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme midis Kosovës dhe Serbisë, pjesë e të cilave është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.”, thotë pika e 10 e këtij plani.

Por, çfarë thoshte Kurti në vitin 2015 për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ose siç e quante ai dhe Lëvizja Vetëvendosje “Zajednicës”.

Ai në një fjalim të tij të mbajtur në shënimin e datës së 28 nëntorit, ku fliste për Asociacionin e për demarkacionin me Malin e Zi shprehej se “Zajednica” ia jep çerekun e territorit të Kosovës Serbisë dhe se kjo e bosnjëzon Kosovën.

“Kjo qeveri po ia jep çerekun e shtetit tonë Serbisë përmes Zajednicës që na bosnjizon.”, thoshte ndër të tjera Kurti atë kohë.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Kurti edhe publikisht para mediave pas takimit që pati me Vuçiq pranoi se ishte i gatshëm të nënshkruante planin evropian për dialogun. Ai madje tha se Vuçiq nuk pranoi të bënte një gjë të tillë.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për nënshkrim. Unë kam shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar”, ka deklaruar ai.

Mbetet të shihet se cili do të jetë shpjegimi lidhur me pajtimin për këtë plan e që do të pasojë me nënshkrim formal gjatë muajit mars në takimet e tjera.

Të ngjashme