Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dikur kur ishte në opozitë – i mbronte me të gjitha forcat mjekët dhe mësuesit kur ata grevonin për rritje të rrogave.
“Nuk ka kuptim që injoranti e hajni që ka hipur atje lart të paguhet me dhjetëra mijëra euro në vit, të marrë mëditje, të shëtitet me makina zyrtare e shoferë, ndërsa mësuesi e mjeku e punëtori i administratës të paguhet më pak sesa që pushtetari i shpenzon për telefon mobil a për dreka e darka”, pati thënë lideri i Vetëvendosjes në vitin 2019, teksa fliste para njerëzve të tij në mbledhjen e XXXVI, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes.
“Varfëria jonë po shndërrohet në greva. Sepse as mësuesit, as mjekët e askush nuk mund të durojë që qeveria të ia rrisë rrogat vetes që nuk punon, por nuk ia rrit atyre që vërtetë punojnë. Sigurisht, ne nuk duam që mësuesit e mjekët të ndërpresin punën, sepse nxënësit kanë nevojë për mësim dhe të sëmurët për shërim. Por ne e kuptojmë thellësisht gjendjen e vështirë të atyre që punojnë në administratë publike e sidomos të mjekëve e të mësuesve”, vazhdonte fjalimin Kurti, rikujton Gazeta Insajderi.
Madje, Kurti si opozitar, pati bërë edhe një premtim për këto kategori.
“Kur qeverinë ta udhëheqë Lëvizja VETËVENDOSJE! ne do të kujdesemi që pabarazia mes tyre dhe qeveritarëve të zvogëlohet shumë, dhe që statusi social i mësuesve e i mjekëve të jetë shumë më i mirë se sa sot”.
Sot, kur ai është në pozitë të ulet dhe të diskutojë me sindikatat për të gjitha problemet e tyre, Kurti jo që nuk flet, por përmes instancave të tjera që dirigjohen nga Qeveria – ai i kërcënoi sindikalistët.
Pas fillimit të grevës së përgjithshme në sektorin publik Ministria e Financave ka kërkuar nga BSPK-ja listën e personave që po marrin pjesën në grevë për t’ua ndalur pagën.
Në një emali të drejtuar Ali Sefajt, anëtarit të këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, ministria ka kërkuar sipas nenit 18 që të kenë një listë të personave që janë në greve për t’i pezulluar nga puna dhe tu ndalen benefitet.