Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vizituan sot fabrikën “Floil” në Gjilan, ku panë nga afër dhe u njoftuan nga pronari i kësaj kompanie, Berat Mustafa, për punën që bën kjo kompani, procesin e prodhimit të vajit ushqimor dhe ambientin ku prodhohet ai.
Vizita vjen në kohën e rritjes enorme të çmimit të vajit ushqimor.
Pronari i kësaj fabrike, duke iu përgjigjur interesimit të kryeministrit Kurti, ka thënë se si pasojë e luftës në Ukrainë, po ndodh ngritja e çmimit të vajit, pasi nga ky shtet importohet lënda e parë e vajit.
“Kryesisht kemi pasur nga vendet e tjera, po edhe nga Ukraina… Tash edhe Bullgaria e ka ndaluar eksportin e lëndës së parë për shkak të mungesës në treg. Se Rusia është shteti i dytë i prodhimit të vajit të lule diellit shtrydhës, dhe këto dy shtete që janë në luftë, nuk ka vaj të mjaftueshëm dhe ka rritje të çmimit”, tha Mustafa.
“Pasi që jemi anëtarë të bursës, jemi njoftuar se edhe vaji i palmës ka rritje të çmimit dhe nuk ka mjaftueshëm në treg”, ka thënë ai.
Pas vizitës që i bëri kompanisë, kryeministri Kurti tha se kjo është rafineria e vetme e përpunimit të vajit që e kemi në vendin tonë dhe me këtë rast u njoftuam që në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftojë për rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Republikën e Kosovës.
“Është lajm për gjithë qytetarët e Republikës, se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth një muaj. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si Qeveri e Republikës së Kosovës, që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar në shtete mike, partnere, aleatët tanë, ashtu që në Kosovë të vijë vaji i papërpunuar, që mund të përpunohet dhe në këtë mënyrë të mos ketë mungesa në vendin tonë”, u shpreh ai.
Më tej, kryeministri Kurti tha se është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, që po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar. Megjithatë, ai tha se aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi dhe se nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje.
Kompania “Floil” prodhon vajin e vetëm vendor në industrinë e ushqimit “Floil”, cilësia e së cilës është verifikuar nga ekspertët italian për kualitetin e tij dhe që i plotëson standardet ndërkombëtare të ushqimit IFS. Po ashtu, kjo kompani ka të mbjellë afër 40 hektarë sipërfaqe me lulediell, kulturë kjo e cila me vendimin e qeverisë do të përkrahet me 36 për qind, për vitin 2022.


