Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministri Hysen Durmishi, dhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi kanë inspektuar fillimit e punimeve të rrugës Prishtinë-Podujevë, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se kjo rrugë është 15 kilometar, e cila do të kushtoj rreth 35 milionë euro. Sipas tij, ngecja për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë për shkak se punimet kanë filluar në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje.
“Sot vizituam disa pika përgjatë rrugës e cila po zgjerohet me gjatësi të gjithmbarshme rreth 15 km në llotet e ndryshme. Inspektuam punimet, pamë harta dhe gjithashtu bashkëbiseduam me punëtoret dhe me ngasësit e makinerisë për punën që janë duke e kryer dhe e cila kap vlerën e gjithmbarshme për rreth 35 milion euro”.
“Rruga Prishtinë-Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase të shpejtë dhe të sigurt dhe do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundoj sa më parë. Natyrisht që numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka viti që nevojiten si ditë punë që të përfundoj kjo”.
“Por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishme pra jo vetëm për shpejtësi e lidhjes më kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Ngecja e madhe ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje. Tash ne e rikuperuam me shpejtësi maksimale dhe do të bëhet zgjerimi i rrugës. Do të vazhdojmë edhe më një vizitw tjetër që do të ja bëjmë edhe rregullimit rrugës Prishtinë-Mitrovicë ”, tha ai.
Ministri Liburn Aliu, ka thënë se zgjerimi i rrugës do të ketë ndikime të shumta në trafikun ekzistues që është një ndër problemet kryesore, raporton EO.
“Projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë Podujevë është projekt që i ka pesë llote. Jemi në një mënyrë, në një sistem më të organizuar të zhvillimit dhe punimit. Përvojat nga e kaluara na kanë treguar që është shumë e rëndësishme që proceset e shpronësimit të kryhen para se të fillojnë punët, për shkak se një ndër element e zvarritjeve në projekte janë elemente e shpronësimit. Një element i rëndësishëm është trafiku në këtë rrugë. Zgjerimi i rrugës do të ketë ndikime të shumta në trafikun ekzistues që është një ndër problemet kryesore”.
“Jemi duke u marr, kemi krijuar ekipe të veçanta që të merren me mbarëvajtjen e trafikut sidomos gjatë këtyre muajve të parë që do të hyj diaspora, respektimit mërgata jonë do të ketë prezentë dhe do të jetë trafiku më i shtuar. Do të kemi kujdes që të mos ketë pengim të trafikut më rrugë. Pastaj do të fillojmë të punojmë edhe më trup të rrugës. Jemi mjaftë të përkushtuar dhe të vendosur që kjo rrugë të kryhet në kohë që të kemi cilësi të punimeve, e paralelisht më këtë edhe për projektet e tjera”, tha ai.
Zëvendësministri, Hysen Durmishi tha se do të kujdesen që edhe gjatë natës të vazhdojnë punimet në mënyrë që të mos ketë pengesa në komunikacion.
“Do të kujdesemi që në një pjesë, në periudha të ndryshme kohore, të punojmë edhe natën, në mënyrë që të mos ketë pengesa në komunikacion, si dhe rrugëve alternative të cilat tashmë janë identifikuar sepse operatorët ekonomik janë vlerësuar edhe me planin dinamik, por edhe me dokumentin të cilin e kanë prezantuar për menaxhimin e trafikut”, tha Durmishi.
Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, tha se çdo gjë është përgatitur mirë për këtë projekt.
“Kemi parapërgatitje të mira dhe çdo gjë është menduar, çdo gjë ka shkuar me rend dhe rregull dhe shpresojmë shumë që do të përmbyllet brenda afateve kohore ky projekt, i cili vërtet do të i’u lehtësoj shumë jetën qytetarëve të komunës sonë”, tha ai.