Kurti me zotime: Ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favore gjithandej

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, në cilësinë e mandatarit për kryeministër nga foltorja e Kuvendit është zotuar për refomën në drejtësi dhe që  sipas tij do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit, dhe zbatimin e ligjit pa frikë e pa favore, raporton Ekonomia Online.

Kurti nga aty premtoi se  përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët.

“Në këtë mandat reforma në drejtësi do të hyjë në fazën e saj vendimtare, do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe ligji do të zbatohet pa frikë dhe pa favore gjithandej Republikës. Reforma në drejtësi nuk ka qenë vetëm synim, ajo ka nisur të bëhet realitet. Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme duhet të ecë përpara së bashku me vetingun, ashtu që drejtësia të bëhet edhe e drejtë, edhe e shpejtë, edhe e besueshme. Do të themelohet prokuroria e re e specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zyra për hetime disiplinore. Do të thellohet reforma në transformimin digjital, çdo qytetar duhet të ketë mundësinë të komunikojë me shtetin pa barriera, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe transparente, që nga aplikimi për dokumente, deri te shërbimet sociale dhe biznesore. Digjitalizimi është mjet për t’i shërbyer çdo qytetari dhe do të përdoret për progres shoqëror, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, llogaridhënie të gjerë dhe cilësi të lartë. Në mandatin që po lëmë pas eksportet dhe investimet e huaja direkte u dyfishuan, por tani është koha të shumëfishohet prodhimi. Përgjatë katër viteve në vazhdim do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët”, tha ai.

Kurti në fjalën e tij të ekspozesë tha se mërgata është pjesë e politikave të Qeverisë që ai do ta drejtoj.

“Mërgata tashmë është pjesë jo vetëm në politikat e Qeverisë, por edhe pjesë e bërjes së atyre politikave. Përmes dritares për investime të diasporës do të mbështeten ndërmarrës nga diaspora deri në 100 milionë euro investime që bëhen në Kosovë. Mërgata tashmë është pjesë e politikave të Qeverisë dhe ajo do të jetë e pranishme në dikastere ekzekutive të Qeverisë së re’, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe investimet që do të bëhen në Termocentralin Kosova B dhe atë Kosova A.

“Termocentrali Kosova B do të modernizohet, ndërsa termocentrali Kosova A do të rehabilitohet thellësisht në mënyrë që të rritet siguria e furnizimit dhe të ulet ndjeshmëria ndaj krizave eventuale nga jashtë.  Kapacitetet nga era do të rriten më shumë se dyfish, në 305 megavat, nga 135 megavat sa janë aktualisht, pastaj kapacitetet diellore fotovoltaike do të rriten më shumë se tetëfish, në 250 megavat nga 30 megavat sa janë tani. Do të bëjmë implementimin e sistemit të baterive me kapacitet 107 megavat për dy orë energji, e gjithëmbarshme 340 megavat orë, që do ta rrisë fleksibilitetin e rrjetit e më larg, deri në fund të mandatit si rezultat i këtyre investimeve kapacitetet e instaluara të energjisë elektrike do të rriten për më shumë se 70 për qind apo 100 për qind duke përfshirë edhe bateritë për ruajtjen e energjisë. Kosova do të bëhet neto eksportuese e energjisë elektrike. Eksporti i energjisë elektrike në raport me konsumin do të tejkalojë deri në 30 për qind, ndërsa për konsumatorët e shërbimit universal më pak se 7 për qind e konsumit do të importohet. Do të ndërtojmë sisteme të reja të ngrohjes qendrore, e gjatë mandatit do të përfundojë dyfishimi i kogjenerimit në termocentralin Kosova B”, theksoi ai.

Të ngjashme