Kurti mirëpriti specializantët nga “të gjitha trojet shqiptare”

Prishtinë | 02 Shk 2024 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Në Kryeministrinë e Qeverisë së Kosovës, sot pasdite, mysafirë ishin specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që u mirëpritën nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, të 186-ën me radhë, u aprovua pagesa për 375 specializantë të Kosovës me vetëfinancim, si dhe 21 nga vendet e rajonit, vendim që, siç tha kryeministri Kurti, dëshmon angazhimin e pandërprerë dhe trajtimin e barabartë edhe në aspektin e mbështetjes financiare për bashkëkombësit tanë.

“Për ne, bashkëpunimi për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por është domosdoshmëri e kohës dhe rrjedhimisht obligimi ynë. Andaj, me këtë qëllim, përkushtimi ynë është i vazhdueshëm dhe sa vjen e do të rritet”, deklaroi kryeministri.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se Udhëzimet e Qeverisë, kanë për qëllim që të bëjnë maksimumin që specializantët nga trevat shqiptare të mos jenë të diskriminuar, gjersa shtoi që do të ofrojnë maksimumin për edukimin e tyre me besim të plotë që do të dalin specialistë të jashtëzakonshëm të fushave të ndryshme dhe të kontribuojnë në vendet ku ata jetojnë.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti shtoi se me qëllim të koordinimit e kujdesit të vazhdueshëm për bashkëkombësit në vendet fqinje, ka emëruar znj. Ardita Sinani Këshilltare Politike dhe kemi komunikim të rregullt me përfaqësuesit politik shqiptarë në rajon.

Po ashtu, në vitin 2023 u ndamë mjete buxhetore për Mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar për të avokuar në qendrat e mëdha vendimmarrëse për kombin tonë, derisa ndamë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe, shtoi ai.

“Për më tepër buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë edhe buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Andaj, këtë po e vazhdojmë nga viti në vit dhe po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual pra, nga dy në tre milionë për vitin 2024 dhe kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë”, përmbylli kryeministri Kurti, duke i falënderuar dhe i uruar suksese të gjithë specializantëve.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Faleminderit shumë i nderuar Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,

Të nderuar specializantë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi,

Motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Mirë se keni ardhur në Kryeministri.

Mua më gëzon shumë ky fakt që sot jemi këtu për një të arritur të rëndësishme, edhe të arsimit për shqiptarët edhe të qeverisjes tonë demokratike, e që është vazhdim i angazhimit të pandërprerë, e tash edhe fuqizues e tejet të rëndësishëm për bashkëkombësit tanë, për juve në vendet fqinje.

Në mbledhjen e kaluar, të 186-tën me radhë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me vendim kemi aprovuar pagesën për 375 specializantë të Kosovës me vetëfinancim, si dhe 21 nga vendet e rajonit. Specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, po trajtohen të barabartë edhe në aspektin e mbështetjes financiare.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka ndërmarrë hapa të tjerë për të mbështetur specializantët, përtej anës financiare.

Qeveria e Republikës së Kosovës po kujdeset në vazhdimësi për bashkëkombësit, prandaj edhe për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, unë kam emëruar znj. Ardita Sinani Këshilltare Politike. Gjithashtu, kemi komunikim të rregullt dhe bashkërendim të vazhdueshëm me përfaqësuesit politik shqiptarë në rajon.

Gjatë vitit 2023, ndamë mjete buxhetore për Mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe të përfaqësuesve të tyre për të avokuar në qendrat e mëdha vendimmarrëse për kombin tonë. Krahas kësaj, ndamë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe.

E për më tepër buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë edhe buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Andaj, këtë po e vazhdojmë nga viti në vit dhe po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual pra, nga dy në tre milionë për vitin 2024 dhe kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë, dhe është më shumë se të gjitha qeveritë paraprake marrë së bashku.

Për ne, bashkëpunimi për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por është domosdoshmëri e kohës dhe rrjedhimisht obligimi ynë. Andaj, me këtë qëllim, përkushtimi ynë është i vazhdueshëm dhe sa vije e do të rritet.

Unë ju falënderoj shumë për mësimet, punët, angazhimin e kontributin që bëni dhe ju dëshiroj suksese gjithnjë e më të mëdha në vijim ku ne dëshirojmë gjithashtu të jemi pjesë për të ju ndihmuar juve ashtu që të keni jetë sa më të arrirë profesionale e personale, por edhe të kontribuoni sa më shumë për shoqërinë e për kombin mbarë.

Faleminderit!

Të ngjashme