Kurti në promovimin e librit “Të Burgosurit e Ndërgjegjes: Memoare për Politikën, Burgun dhe Torturën (1945-1999)”

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në promovimin  e librit “Të burgosurit e Ndërgjegjes: Memoare për Politikën, Burgun dhe Torturën (1945-1999), botuar nga forumZFD programi në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitim  e të Mbijetuarve të Torturës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, raporton Ekonomia Online.

Libri përmbledh histori personale të ish-të burgosurve politikë, burra dhe gra, të cilët jetuan dhunën, shtypjen dhe torturën në ish-Jugosllavi (1945-1999). Përmes intervistave të thelluara dhe dokumentimit historik, libri shqyrton strategjitë shtetërore të përndjekjes dhe shtypjes politike, përvojat e burgosjes, torturës dhe mbijetesës në izolim, rolin e rezistencës politike dhe aktivizmit për paqe dhe barazi, dhe kujtesën e disidencës dhe ndikimin e saj në historinë bashkëkohore.

Kryeministri Kurti, tha se botimi i këtij libri është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për shkak se nuk dihet publikisht mjaftueshëm për kujtimet, përjetimet, përvojat dhe njëkohësisht mendimet që i kanë sot të burgosurit e ndërgjegjes e që janë në një masë të kushtëzuara prej asaj në të cilën kanë kaluar edhe individualisht edhe kolektivisht ata.

Ai falënderoi dhe përgëzoi profesorët Vjollca Krasniqi, Eli Krasniqi dhe Durim Abdullahu dhe të gjithë të intervistuarit për kontributin e tyre në finalizimin e këtij libri.

Të ngjashme