Kurti mori pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar “Pushka e parë e lirisë”, kushtuar Zahir Pajazitit

Prishtinë | 02 Nën 2024 | 23:00 | Nga Ekonomia Online

Pas homazheve dhe pjesëmarrjes në Akademinë Përkujtimore për 35-vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte mori pjesë në shfaqjen e filmit dokumentar “Pushka e parë e lirisë”, kushtuar ditëlindjes së 62-të, të Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti, e cila u mbajt në Sallën e Sporteve “1 Tetori”, në Prishtinë.

“Heronjtë dhe dëshmorët u takojnë brezave dhe etapave të ndryshme historike, por ata shkojnë e përbashkohen te historia moderne e Kosovës, në kapitujt e gjatë dhe me vend qendror të rezistencës dhe qëndresës së armatosur për çlirimin e vendit”, tha kryeministri.

Ai shtoi se Zahir Pajaziti nuk është vetëm emri i një luftëtari si personalitet historik, por edhe emri i një figure, e cila përbashkohet një traditë e tërë luftëtarësh, nga Çeta e Llapit, me Hasan Ramadanin e Ali Ajetin te Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Bahri Fazliun e Agron Rrahmanin dhe deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

Duke vlerësuar dokumentarin “Pushka e parë e lirisë,” Kryeministri Kurti tha se profili i Zahir Pajazitit përfaqëson një kapitull autentik dhe të lavdishëm në historinë e Kosovës.

“E kanë mbiquajtur “pushka e parë e lirisë” prej nga edhe titulli i këtij dokumentari, por profili prej luftëtari të paepur i Zahir Pajazitit shkon e shtrihet në një kapitull shumë kompleks, sa të rëndë aq edhe të lavdishëm, por gjithsesi tejet autentik”, deklaroi ai.

Derisa shprehu falënderime për të gjithë ata që kontribuan në krijimin e këtij dokumentari, Kryeministri Kurti vlerësoi që historia e këtij heroi po pasqyrohet për publikun në një trajtë të veçantë dokumentare dhe artistike.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar Bajram Pajaziti, vëllai i heroit Zahir Pajaziti,

Të nderuara familje Pajaziti, Zejnullahu, Konushevci dhe Hoxha,

Të nderuar producentë, filmbërës dhe ekip realizator të këtij dokumentari,

I nderuari gjeneral Naim Haziri,

I nderuari Bekim Haziri, Ismet Abdullahu dhe ju shokë e bashkëluftëtarë të Zahirit,

I nderuari Kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Ditën e sotme e kemi kaluar në Prishtinë, mes ngjarjesh që i përkujtojnë dëshmorët e lirisë së Kosovës dhe luftëtarët çlirimtarë ndër breza. Në mesditë ishim në varrezat e dëshmorëve për homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, kurse pasdite ishim në një akademi përkujtimore për ta. Sot janë bërë 35 vjet nga rënia e Afrimi Zhitisë dhe Fahri Fazliut, kurse dje ishte ditëlindja e Komandantit Zahir Pajazitit, që sonte po e shënojmë bashkë me këtë dokumentar.

Zahir Pajaziti ka lindur vetëm katër muaj para Fahri Fazliut, kurse Afrim Zhitia ishte vetëm dy vjet më i ri, e të tre ishin të së njëjtës gjeneratë, të lindur në mesin e viteve të ‘60-ta. Mosha e hershme e dëshmorëve tanë, që kur e mendon, që Zahiri sot do të ishte vetëm 62 vjeç, ndërkohë që kanë kaluar 27 vjet nga rënia e tij, na tregon se sa e afërme ka qenë koha kur ne shqiptarët e Kosovës luftonim për çlirim e për liri dhe për bashkim.

Heronjtë dhe dëshmorët u takojnë brezave dhe etapave të ndryshme historike por ata shkojnë e përbashkohen te historia moderne e Kosovës, në kapitujt e gjatë dhe me vend qendror të rezistencës dhe qëndresës së armatosur për çlirimin e vendit.

Zahir Pajaziti nuk është vetëm emri i një luftëtari si personalitet historik por edhe emri i një figure e cila përbashkohet një traditë e tërë luftëtarësh, nga Çeta e Llapit, me Hasan Ramadanin e Ali Ajetin te Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës me Bahri Fazliun e Agron Rrahmanin dhe deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

E kanë mbiquajtur “pushka e parë e lirisë” prej nga edhe titulli i këtij dokumentari, por profili prej luftëtari të paepur i Zahir Pajazitit shkon e shtrihet në një kapitull shumë kompleks, sa të rëndë aq edhe të lavdishëm, por gjithsesi tejet autentik. Më vjen mirë ta shoh historinë e tij sonte në një trajtë të filmit dokumentues dhe artistik.

Falendëroj ata që kontribuan dhe e prodhuan atë dhe ju uroj të gjithëve shikim të këndshëm.


Të ngjashme