Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me aktivistë nga diaspora e deputetë të kësaj partie për tema të rëndësishme për mërgatën, raporton EkonomiaOnline.
Kurti tha se Kosova i është mirënjohës mërgatës, e cila në çdo etapë dha kontribut për çlirimin e vendit, ndërsa sot po ndihmon në zhvillimin e tij.
“Ne jemi shumë mirënjohës juve për krejt çka keni bë para dhe gjatë luftës edhe sot e kësja dite. Dikur nuk do kishim luftë çlirimtare pa ju e sot nuk do kishim paqe pa ju. Vetëm duke iu falënderua mërgatës tonë është mundësuar çlirimi e sot po mundësohet mbijetesa”, tha ai.
Kurti nuk la pa iu folur edhe për zgjedhjet të cilat pritet të mbahen së shpejti.
Tha se janë një mundësi e mirë për të çuar proceset përpara, e për të ofruar perspektivë për qytetarët.
“Jemi afër zgjedhjeve, zgjedhjet jo vetëm zgjidhje por shënojnë një etapë të re të shtetndërtimit demokratik e zhvillimit ekonomik ku do orientohemi te punësimi pa diskriminim, drejtësia pa korrupsion, arsimi lidhur me ekonominë e spitalet ku njerëz do shërohen e jo dëshpërohen”, tha ai.
“Sot kush e do ndryshimin e do vetëvendosjen. Qeverisja e ardhshme e mirë do të mundësojë që mërgata jonë të votoj nëpër ambasada e konsullata të Kosovës. Juve iu mohohet një e drejtë elementare njerëzore. Pushteti aktual i cili është dorëhequr ka pasur interes për paratë tuaja por jo për votën tuaj. Ne kemi interes edhe për votën tuaj edhe për paratë tuaj për ekonominë”.
Kurti iu shpjegoi mërgimtarëve pak edhe për prioritet e tij kur të vie në krye të qeverisë.
“Ne duam që mërgata ta ketë të drejtën e votës, qeverisja jonë e nesërme do ta bëj regjistrimin e mërgatës tonë dhe do tua njohë statusin e refugjatëve sepse ju nuk e keni lëshuar vendlindjen për luks por prej zorit dhe kjo duhet të njihet në memorien institucionale të republikës sonë. Në secilin shtet ku jetoni do fillojmë bisedimet që të njohët dyshtetësia”, tha ai.
Si zakonisht, kritikoi qeveritë e deritanishme se nuk punuan mirë për të zhvilluar ekonominë e vendit.
“Mërgata jonë duhet të bëhet aksionare në zhvillimin ekonomik, jo vetëm të na vijnë paratë e gatshme por të jetë aksionare në zhvillimin ekonomik që të rimëkëmbë ndërmarrjet publike dhe të zhvilloj sektorin privat. Kosova në sektorin privat dominohet nga dukuria e vetëpunësimit familjar. Kemi nevojë që ndërmarrjet të rriten dhe mërgata të bëhet faktor në zhvillim ekonomik e jo të luaj rolin e mbijetesës sociale”, tha ai.
“Një qeveri e re do ta ketë prioritet që arsimtarët më të mirë të gjuhës shqipe që i ka Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi t’i garantojë arsimin fëmijëve tuaj në mërgim. Shteti duhet ta marrë barrën tua mësojë shqipen të gjithë fëmijëve tuaj dhe qeveria jonë nesër do ta mundësoj këtë”, tha ai.
Lideri i partisë më të madhe opozitare, i motivoi mërgimtarët për të marrë pjesë në votime. Madje ua tregoi katër opsione për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Më 22 gusht presim të shpërndahet Kuvendi meqë në bazë të kushtetutës zgjedhjet duhet të jenë më pak se 30 ditë i bie që zgjedhjet do të mbahen në fund të shtator ose në fillim të tetorit. Ekzistojnë katër mundësi, aeroplani, autobusi, automjeti posta, mos e leni pa votuar. Kur të merrni vesh datën e zgjedhjeve blini biletën”, tha ai.
Edhe kryetari i Qendrës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, mbajti një “ligjëratë” para mërgimtarëve.
“Krejt mundi dhe koha juaj, përkushtimi juaj në një mënyrë janë tjetërsuar në Kosovë. Në çdo takim që e kemi pas gjatë këtyre javëve është dalluar ai pezmi por edhe meraku që e këndej për Kosovën dhe çka po ndodhë me vendin tonë. Nuk kemi dilemë se mes jush ka majftueshëm edhe vullnet, energji që do ta kapërcej këtë kurth që qeverinë njëra pas tjetrës e kanë ngritë ndaj nesh. Për këtë vullnet ne ju admirojmë por vazhdojmë t’iu marrim shembull brenda nesh”, tha ai.