Kryeministri Albin Kurti, në 32-vjetroin e rënies së heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ka bërë homazhe te varrezat e tyre në lagjen Velania në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, të dy heronjtë janë padyshim ndër përfaqësuesit më emblematik të popullit.
Ai më tej ka shtuar se historinë e bën dëshmorët, ndërsa ardhmëria varet prej besnikërisë.
“Në vjeshtën e vitit 1989, Fahri Gazliu dhe Afrim Zhitia kanë qenë veprimtarë ilegal, të cilët organizonin dhe merrnin pjesë në demonstrata e asaj kohe, që ishin të fuqishme dhe të shpeshta”.
“Më 1 nëntor, një ditë para se të vriteshin, Afrim Zhitia mban fjalim në demonstratë, ndërkaq më 2 nëntor kur u ballafaquan më forcat e policisë, bien heroikisht me Fazliun”.
“Është interesante për historinë tonë sesi në vitet 80-ta, pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, Lëvizja e përjeton një hov te madh me organizimin brenda Kosovës. Ata kanë bërë shumë aksione në Kosovë dhe është koha kur vepronte Çeta e Llapit, me ç’rast luftëtaret e asaj çete ishin Ali Ajeti e Hasan Ramadani, që i kishin armët që u kishte dhënë Afrim Zhitia”, tha Kurti.
“Tash kur vie puna te përfaqësuesit e popullit janë dy lloje të përfaqësuesit, janë përfaqësuesit demokratik dhe historik. Këto dy lloje nuk janë plotësisht të ndara as të pavarura por megjithatë janë të ndara. Padyshim që ndër përfaqësuesit më emblematike të popullit në kuptimin historik të fjalës janë këta dy heronj të cilët janë të ngjashëm me dy heronjtë të tjerë pesë vite me herët, Rexhep Mala e Nuhi Berisha që janë shprehje e popullit tonë si rezistencë, si një popull që nuk duron shtypjen dhe padrejtësinë që nuk e duron shfrytëzimin e pabarazinë. Historia jonë përbëhet prej dëshmorëve kurse ardhmëria jonë varet prej besnikërisë për dëshmorët”, tha Kurti.
Fahriu dhe Afrimi u vranë më 2 nëntor 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi me forcat serbe.