Kryeministri Albin Kurti, gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës, ka thënë se për Qeverinë e Kosovës, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritete.
Duke iu drejtuar 433 policë të rinj, që nga sot nisin të shëbejnë në PK, Kurti tha se ky çast është kulmi i punës së palodhur dhe rezultat i punës së përditshme.
Kjo ceremoni sipas Kurtit bëhet më e veçantë sepse po ndodhë në prag të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Jam dyfish i lumtur që jemi këtu në prag të festimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës tek po shtojmë dhe forcojmë radhët e Policisë së Kosovës. Sikur vendi ynë edhe Policia e Kosovës ka kaluar nëpër etapa të ndryshme. Të gjithë jemi të qartë se policia mbron jetën e qytetarëve dhe zbaton ligjshmërinë. Për Qeverinë tonë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit janë prioritet”, tha Kurti.
Në vazhdim, Kurti u mburr me numrin e operacioneve të suksesshme të Policisë së Kosovës, në dy vitet e fundit (duke e lidhur me qeverisjen e tij dyvjeçare).
“Vetëm gjatë vitit të kaluar u realizuan 854 operacione policore ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës, u arrestuan 3 mijë e 202 veta prej tyre 301 zyrtarë publikë, i mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri, i shkatërruam 69 grupe kriminale e mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimet e keqpërdorimeve”, ka thënë ai.
“U konfiskuan mbi 1.8 tonë substanca narkotike u shkatërruan 5 laboratorë të drogës në vlerë qindra milionëshe në3 substanca dhe pajisje si dhe tri laboratorë në prodhim të kriptovalutave në veri. Në vitin 2022 i ndërtuam 4 objekte policore në veri të Kosovës, bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë duke mundësuar valët e internetit internetin”, ka vijuar Kurti.
Kurti përmendi se Policia e Kosovës mbetet ndër tri institucionet më të besueshme nga qytetarët e vendit.
“Policia e Kosovës qëndron e palëkundur në misionin e ruajtjes dhe rendit të sigurisë publike ajo është në të përditshme e qytetarëve, andaj ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejnë dhe e përjetojnë sidomos qytetarët. Jemi të lumtur që policia vazhdon të renditet në tri institucionet më të besueshme për qytetarët e vendit tonë”.
Kurti është shprehur se “zyrtarët policorë, sidomos në dy vitet e fundit, kanë treguar që nuk bëjnë kompromis me krimin; janë sulmuar e plagosur por nuk janë dorëzuar, janë ende në krye të detyrës”.
Ai ka bërë thirrje të mos harrohen policët që humbën jetën në detyrë duke i shërbyer vendit.
Sveçla: Policia ndër institucionet më të besuara në Kosovë
Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se puna e policëve të rinj do të vazhdojë ta bëjë Policinë ndër institucionet më të besuara në Kosovë.
“Ju keni zgjedhur t’i bashkoheni një profesioni kaq të lartë e fisnik. 433 vajza e djem po i bashkohen synimit për zbatimin e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit e korrupsionit, për një polici të disiplinuar që nuk do të tolerojë asnjë lloj krimi ndaj shoqërisë, institucioneve dhe sovranitetit të Republikës sonë”, tha Sveçla.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, Fehmi Hoti, tha se Policia e Kosovës është e gatshme të përballet me të gjitha rreziqet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Ai duke uruar pjesëtarët e ri të këtij institucioni, kërkoi nga ta që të shërbejnë më përkushtim e profesionalizëm për të gjithë qytetarët.
“Nga ju presim të udhëhiqeni nga parimet më të avancuara të trajtimit të barabartë me të gjithë qytetarët. Punën tuaj zbatone në ligj”, tha ai.



