Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si aktin themeltar që përcakton funksionimin demokratik të shtetit dhe garanton të drejtat e qytetarëve.
Në një postim me rastin e Ditës së Kushtetutës, Kurti ka deklaruar se Kushtetuta “rikujton aktin themeltar që normon vullnetin dhe të drejtat e qytetarëve për një shtet të pavarur e të lirë, demokratik dhe të barabartë”.
Ai ka theksuar se Kushtetuta është baza juridike e institucioneve të vendit, duke shtuar se ajo “garanton funksionimin e tyre demokratik për të mirën e qytetarëve të Republikës, në shërbim të interesit publik dhe në frymën e sovranitetit shtetëror”.
Sipas tij, Kushtetuta orienton vendimmarrjen politike dhe përcakton standardet e veprimeve, ndërsa kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë bartësit e përgjegjësive institucionale.
“Në çdo rrethanë, ajo kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga të gjithë mekanizmat dhe bartësit e përgjegjësive zyrtare, që në ushtrimin e mandatit të tyre të qëndrojnë me integritet, të sillen me maturi dhe të tregojnë besnikëri ndaj kushtetutshmërisë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e institucioneve që japin interpretimin përfundimtar të normës kushtetuese, duke i cilësuar ato si thelbësore për ruajtjen e ekuilibrave të pushteteve dhe për besimin e qytetarëve.
“Në këtë ditë, riafirmojmë angazhimin tonë për përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare, duke e parë këtë si garanci të paqes e demokracisë, për drejtësi e siguri, në të tashmen dhe të ardhmen tonë evropiane”, ka shtuar ai.