16 kompani nga Austria dhe nga Kosova nga dhjetë sektorë të ndryshëm kanë promovuar bizneset e tyre në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ky Forum u tha se ka për qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve biznesore ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova, duke krijuar kështu një situatë të favorshme për ekonomitë e të dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli për mundësinë që i kanë kompanitë për të investuar në Kosovë. Ai përmendi ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës, me ç’rast ftoi kompanitë austriake të aplikojnë.
Ai tha se kanë arritur t’i krijojnë 25 mijë vende të reja të punës dhe me një rritje të ekonomisë me 10.35 për qind.
“Shkathtësitë e qeverisjes ka përparësi e ka profit. Kosova është falënderuese për mbështetjen nga qeveria austriake dhe mbetet ndër partnerët tonë tregtarë. Në tema të ndryshme në çështje të bashkëpunimit tregtare. Shumë kompani të suksesshme do të takohen me biznese në Kosovë dhe do të shkëmbejnë çështje të fokusit të përbashkët. Meqë po flasim për shtëpi të dytë kur takohemi me palë austriake dua të përmend lidhjet historike të projektit hekurudhor Carl Gega. Ndërtimi i linjave hekurudhore në Austri janë rezultat i Carl Gegës. Ftoj qeverinë austriake të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore”.
“Duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe pse jo ta emërtojmë hekurudhën Carl Gega. Kosova është vendi më i mirë për bërje të biznesit. Investimi në Kosovë do të jetë sukses për ju. Kemi krijuar 25 mijë vende të reja. 10.53 është rritja ekonomike. Vlera e eksporteve ka arritur 2.7 miliardë. Vlera e mallrave 62 për qind. Investimet kapitale janë rritur 10 për qind më shumë. Përkushtimi për sundim të ligjit po thyejmë rekorde një pas një”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës u mburr para investitorëve potencialë nga Austria se sipas raportit të fundit të organizatës “Freedom House”, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka shënuar rritje të shkallës së demokracisë.
“Me qeverinë e re, të përkushtuar për zbatim të ligjit, efikasitet dhe transparencë, jo vetëm që po rikthehemi në indekset e demokracisë, por po thyejmë rekorde ekonomike kombëtare, njërën pas tjetrës”, u shpreh Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Është kënaqësi të jem sot këtu me ju.
Fillimisht, më lejoni ta falënderoj personalisht Advantage Austria, konkretisht z. Nest dhe Ambasadën Austriake me ambasadorin Weidinger në Prishtinë për organizimin dhe mbështetjen e kësaj ngjarjeje sot këtu. Është mirë t’ju shoh duke i inkurajuar bizneset austriake për ta parë nga afër Kosovën dhe jo vetëm për të zbuluar mundësi biznesi në fushat e tyre përkatëse, por ndoshta edhe për të zbuluar një destinacion të ri pushimi për veten dhe familjet e tyre.
Pandemia e COVID-19 dhe më pas agresioni i shkaktuar nga njeriu në Ukrainë na kanë shfaqur qartë dy gjëra. Një: domosdoshmërinë absolute të alokimit të prodhimit dhe shërbimeve të tjera në rajone gjeografikisht më të afërta. Dy: këto rrethana na kanë treguar se një ekonomi mund të jetë e qëndrueshme vetëm kur themelohet dhe bazohet në parime të shëndosha tregu dhe vlera demokratike. Kërkon aftësi sipërmarrëse dhe qeverisje të mirë, duke kërkuar vazhdimisht për politika të qëndrueshme dhe jo të ardhura të shpejta, që krijojnë varësi të rrezikshme.
WKO-ja austriake me raportet dhe vizitat e saj të rregullta në Kosovë ka zgjuar një interes për vendin tonë, i cili mund të duket jo shumë i madh për nga sipërfaqja, por është i madh në potencial dhe mundësi.
Republika e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e dhënë nga Republika e Austrisë në shumë fusha; ajo mbetet një nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë në shkëmbim tregtar, Investime të Huaja Direkte dhe politikë. Për këto arsye, dua ta falënderoj edhe kabinetin e ministres Schramböck nga Ministria e Ekonomisë dhe Digjitalizimit, e përfaqësuar sot këtu, për bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë tonë dhe veçanërisht me kabinetin e ministres Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për tema të ndryshme në fushat e bashkëpunimit ekonomik dypalësh si: çështjet e lidhura me tregtinë, transferimin e biznesit “nearshoring” dhe Investime të Huaja Direkte, infrastrukturën cilësore, inovacionin, ndërmarrësinë, digjitalizimin si dhe arsimin dhe aftësimin profesional.
Jam gjithashtu i lumtur që sot, nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe autoriteteve kompetente austriake, shumë biznese austriake dhe kosovare nga sektorë të ndryshëm do të takohen në takime B2B, do të krijojnë kontakte të reja dhe do t’i ndajnë përvojat dhe ekspertizën e tyre më të mirë, me fokus të veçantë në krijimin e një bashkëpunimi të mundshëm të përbashkët.
Kam kënaqësinë t’ju mirëpres të gjithëve në Kosovë. Për disa prej jush, për herë të parë, ndërsa për të tjerët këtu, Kosova është bërë shtëpi e dytë – sikur Austria që është bërë shtëpi e dytë për shumë qytetarë të Kosovës.
E kur flasim për shtëpinë e dytë; kur takohemi me homologët tanë austriakë, na pëlqen të përmendim lidhjet historike që kemi. Me këtë rast do të doja të përmendja një lidhje shumë të veçantë të krijuar nga një person, projekti hekurudhor i të cilit madje mori statusin e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Disa prej jush mund të kenë dëgjuar për të, Karl Gega. Për ju që e lidhni këtë emër më tepër me një markë pijesh alkoolike, më lejoni të lexoj shkurtimisht CV-në e tij mahnitëse.
Karl Gega studioi në Padova të Italisë, ku në moshën 17-vjeçare mori titullin Doktor i Shkencave Matematikore. Ai filloi karrierën e tij si inxhinier me ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve në Venedik. Më pas studioi shkencat hekurudhore në Angli dhe në vende të tjera evropiane.
Përfundimisht, Karl Gega ishte inxhinier i njohur për dizajnimin dhe inxhinierinë e Semmering Railway nga GLOGNIC në MYRCUSHLA në Austri. Një projekt që në atë kohë dukej si diçka e pamundur.
I lindur në 1802, ai ishte inxhinieri më i vlerësuar i asaj kohe. Si mirënjohje për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm, atij iu dha titulli kalorës nga perandori austriak Franz Josef dhe u bë Karl Ritter fon Gega. Varri i tij gjendet pranë varreve të austriakëve, si Mozart, Beethoven apo Franz Kafka, në Varrezat e Vjenës. Dhjetëra sisteme rrugore, ndërtime dhe linja hekurudhore në të gjithë Monarkinë Austro-Hungareze ishin rezultat i Carl Ritter fon Gega.
E tregoj këtë histori sepse ne jo vetëm që jemi shumë krenarë për djemtë dhe vajzat tona në diasporë që jetojnë atje në gjeneratën e parë, të dytë dhe të tretë, të cilët kundër të gjitha gjasave bënë dhe po bëjnë histori, krijojnë art dhe bëhen mjekë, por edhe sepse unë do të doja t’i shihja ata duke investuar në Kosovë dhe duke e shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë këtu me ne.
Në të njëjtën kohë e përmend historinë e Karl Gegës, sepse ai ka punuar dhe jetuar në Austri dhe kështu e dimë që ju duhet të keni ekspertizë për ndërtimin e projekteve ambicioze hekurudhore.
Kështu që unë sot do ta shfrytëzoj rastin dhe do ta ftoj qeverinë austriake, së bashku me kompanitë austriake, të na mbështesin në aktivitetet tona në sektorin e infrastrukturës, përfshirë hekurudhat. Të gjitha në përputhje me Agjendën e Gjelbër Evropiane.
Siç edhe mund të keni dëgjuar, ne duam ta ndërtojmë hekurudhën nga Prizreni deri në Durrës dhe kemi nevojë për asistencë teknike nga inxhinierë si i famshmi Karl Gega. Prandaj, pse të mos e emërtojmë linjën hekurudhore Prizren – Durrës si “Hekurudha Karl Gega”?
Shpresoj që pas kësaj vizite, ju që nuk keni qenë të sigurt nëse duhet të investoni dhe si të investoni në Kosovë dhe nëse të bëni biznes këtu dhe mënyrën se si të bëni biznes këtu, do ta keni një pasqyrë më të qartë. Sipas raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes, Kosova ka bërë përparim të dukshëm në lehtësimin e procedurave të biznesit. Sipas raportit më të ri të Freedom House, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka përmirësuar rezultatin e demokracisë.
Për më tepër, jam krenar që mund t’ju prezantoj në vijim disa tregues që tregojnë se ka shumë gjasa që investimi në Kosovë dhe ekonominë e saj do të kurorëzohet me sukses për ju. Nëse deri më tani keni hezituar të bëni biznes në Kosovë, mund t’ju siguroj se disa nga faktorët kryesorë kanë ndryshuar dhe janë duke u reformuar për t’u bërë më të favorshëm ndaj biznesit.
Krahasuar me vitin 2020, ne kemi formalizuar mbi dhjetë mijë vende pune dhe mbi 25 mijë vende të reja pune. Rritja jonë ekonomike, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 10.53% e BPV-së.
Gjatë vitit të kaluar, eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë arritur vlerën prej 2.7 miliardë euro – kjo është një rritje prej mbi 83% krahasuar me vitin 2020. Gjatë këtij viti, vlera e mallrave të eksportuara është rritur me 62%, së bashku me rritjen e sasisë së mallrave të eksportuara me 88%; krahasuar me vitin 2019, viti para pandemisë, eksportet janë rritur për 104%. Kjo do të thotë se krahasuar me vitin 2020 kemi pasur një rritje të Investimeve të Huaja Direkte në vitin 2021 prej 22% dhe rritja e investimeve kapitale në vitin 2021 është mbi 10% më e lartë se në vitin 2020.
Siç mund ta shihni me qeverinë tonë të re reformuese, të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, efikasitetit dhe transparencës, jo vetëm që po ngjitemi lart në të gjitha indekset e demokracisë, por edhe po thyejmë rekordet kombëtare ekonomike njëri pas tjetrit.
Dhe tani dëshiroj t’ju uroj të gjithëve një Forum të suksesshëm Ekonomik Kosovar-Austriak dhe shpresoj se sot do të mbahen disa takime dhe diskutime të frytshme.