Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 26-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi.
Atje po marrin pjesë politikanë progresistë, akademikë të shquar dhe udhëheqës organizatash ndërkombëtare.
Në fjalën e tij në ceremoninë dhe panelin hapës të simpoziumit, ai potencoi që bota ndodhet përballë tre sfidave globale të një niveli të paprecedent: ndryshimet klimatike, pabarazia shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë.
Duke vënë theksin te pabarazia shoqërore, ai iu referua një studimi të vitit të kaluar të organizatës ndërkombëtare Oxfam sipas së cilës top 1 përqindëshi i më të pasurve posedon 45.6 për qind të pasurisë globale dhe 59 për qind të të gjitha aseteve financiare në botë.
Sipas së njëjtës organizatë, në dekadën e fundit, ky 1 përqindësh ka vënë në zotërim më shumë se gjysmën e të gjithë pasurisë së re globale.
“Për aq kohë sa 1 përqindëshi i më të pasurve zotërojnë gjysmën e pasurisë globale, kam drojë që nuk do të ketë paqe të vërtetë ndërmjet shoqërive dhe njerëzve dhe as me natyrën e planetit tonë”, tha Kurti.
Ai foli për rëndësinë e rikthimit dhe ruajtjes së domethënies por edhe konkretizimit të ideve të mëdha të lirisë, barazisë, demokracisë dhe drejtësisë dhe për nevojën për të fituar zgjedhje demokratike në mënyrë që të ketë qeverisje demokratike.
Kryeministri nënvizoi se një gjë e tillë nuk ka qenë më shumë e rëndësishme se sot, në 80 vjetët e fundit, qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Me pabarazinë gjithmonë e në rritje, gjasat për diktatura dhe fashizëm janë po ashtu në ngritje”, tha ai.
Në këtë kontekst, kryeministri bëri thirrje për solidaritet më të madh për organizim më të mirë, fitore më të shumta demokratike dhe qeverisje më të gjata të progresistëve e socialdemokratëve, duke mos harruar që demokratët ndihen të kërcënuar nga lufta, kurse autokratët nga paqja.
“Paqja që na duhet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është socialdemokracia”, përfundoi fjalën e tij shefi i ekzekutivit.