Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Janjevës “Mirëserdhët në Janjevë”, raporton Ekonomia Online. Vizitorët patën mundësinë të shijojnë jo vetëm ushqimet tradicionale, por edhe të njihen me projektet që po transformojnë Janjevën në një destinacion tërheqës për turistët dhe banorët vendas.
Nga aty, Kurti foli për investimet që janë duke u bërë në këtë qytezë. Ndër të tjerash, shefi i ekzekutivit tha se përmes tri dikastereve, Janjeva po përfiton projekte në shumë fusha.
Sipas tij, nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike.
“Qeveria jonë po investon përmes tri ministrive këtu. Ministri e Kulturës në restaurimin e dhe funksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e kapaciteteve për turizëm dhe zhvillim. Mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal për infrastrukturë rrugore të qytezës së Janjevës si dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet”, u shpreh Kurti.
“Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës janjevase e cila ka migruar në Kroaci duke krijuar mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëfinancim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm dhe gjallëria ekonomike”, u shpreh tutje Kurti.
Shefi i UNDP-së, Nuno Queirós, tha se pas përfundimit të projekteve të renovimit, Janjeva do të tërheqë më shumë vizitorë.
Ai falënderoi partnerët dhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar në investimet e bëra në këtë komunë.
“Kemi punuar me muaj të tërë dhe besojmë që këto investime do të ndihmojnë në rritjen e numrit të vizitorëve në Janjevë”.