Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancën plenare për zgjedhjen e qeverisë së re, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë adresimit para deputetëve të legjislaturës së 11-të, Kurti theksoi se lufta e Kosovës ka qenë e drejtë dhe se krimet e luftës ndaj popullatës civile janë kryer nga regjimi serb, dhe jo nga ushtarët e UÇK-së.
Kreu i ekzekutivit në detyrë e nisi fjalën e tij duke shfrytëzuar foltoren për t’i uruar deputetët e rinj për konstituimin e parlamentit, duke vlerësuar gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për institucionet e shtetit.
“Ju përgëzoj për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 11-të dhe për funksionet dhe përgjegjësitë e reja që i keni marrë. Ju falënderoj për angazhimin dhe besueshmërinë që tregoni ndaj shtetit tonë të përbashkët.”
Duke u ndalur te zhvillimet në Dhomat e Specializuara, Kurti theksoi se i gjithë vendi ndodhet nën një ndjesi ankthi përballë vendimit të pritshëm ndaj themeluesve të UÇK-së. Ai e cilësoi kërkesën e prokurorisë në Hagë si të papranueshme dhe jashtë realitetit historik.
“Këto ditë të gjithë jemi në ankth, në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Kërkesa e prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare.”
Kurti rikonfirmoi pozicionin e Qeverisë së Kosovës, duke nënvizuar se gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit u ushtruan nga aparati shtetëror serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviç.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Milloshoviçin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, shtoi ai.
