Kryeministri Albin Kurti, në një deklarim për mediat në Veri ku sot ishte për vizitë, ka folur për çështjen e dinarit.
Ai atje tha se problemi qëndron te Serbia, e cila ka synim që paratë t’i dërgojë në cash për të paguar edhe “njerëz që nuk duhet”, duke aluduar për financimin e grupeve terroriste.
“Së pari duhet të them se ne nuk kemi qenë as nuk jemi kundër dinarit, ajo është valutë zyrtare e fqinjit tonë, Serbisë. Serbia mund t’i çojë serbëve në Kosovë ndihmë financiare, por në Kosovë e vetmja valutë për pagesa është euro në përputhje me nenin 11 të Kushtetutës sonë. Vendimin për rregullativën e re e ka marrë BQK më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Beogradi e ka ditur shumë mirë se çka po zhvillohet këtu, atë se banka komerciale e cila ka mbetur pa bankën mëmë …i kanë pasur tre opsione, unë këtë e kam mësuar më vonë sepse ky nuk është resor imi”.
“BQK s’është pjesë e Ministrisë së Financave, por institucion i pavarur i shtetit tonë. Ata kanë pasë tre opsione dhe kanë vendosur për vetëlikuidim. E tash Beogradi insiston në dinarë dhe cash sepse emiton dinarin, insiston për cash sepse s’ka më Bankë Komerciale në Kosovë. Do të thotë ata janë të varur nga cash-i sepse i paguajnë disa njerëz që nuk duhet t’i paguajnë. Unë s’kam asgjë që mjekët, profesorët, mësimdhënësit të marrin mjete, por duket se brenga kryesore e Beogradit është se disa njerëz, që s’janë as mjekë as mësimdhënës, nuk mund të marrin cash më si më parë. Ne duam sistem transparent, legalizim të të gjitha transaksioneve financiare të atyre që janë legale dhe s’ka më cash. Ne duam që ekonomia në Kosovë të shndërrohet në ekonomi pa cash dhe tani ATK, sipas ligjit të saj, duhet t’ua japë pagat të gjithë qytetarëve në sektorin publik nëpërmjet bankës. Nuk po themi që serbët në Kosovë të marrin dardanë, valutë e Kosovës, por euro sepse këtë e kemi që nga 1 janari 2002. Më herët e kemi pasur markën gjermane tash e kemi euron. Le të vijë paraja edhe në dinarë, por këtu si mjet pagese duhet të jetë euro”./GE