Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë të zhvilluar sot në Mynih ka thënë se dialogu duhet të bëhet pa harta, dhe pa presidentë rreth tyre.
Ai thotë se dialogu duhet të përgatitet mirë dhe duhet të jetë me parime.
“Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në regjionin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jenë tre parime në këtë dialog për të shëruar plagët. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka thënë se pas 20 vjetësh ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.
“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”, ka thënë Kurti.