Kryeministri në detyrë Albin Kurti mori pjesë në përurimin e rrjetit të ri të Ujësjellësit “KRU” Prishtina në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, raporton Ekonomia Online.
I pari që piu ujin ishte vet Kurti, e cili më pas pati edhe lavdata për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza.
“Me kryetarin e ardhshëm të komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebrezen, me dy ministra të qeverisë tonë e tuaj, Artane Rizvanolli ekonomia dhe Albert Krasniqi, pushteti lokal. Atje po e shoh zëvendës ministrin e punes dhe transfereve, Avni Zogiani, i cili poashtu është i Fushë Kosovës. Kjo është një ditë e gëzueshme për të gjithë neve dhe një padrejtësi që ka zgjatë për çerek shekulli po rregullohet sot duke sjellur ujë për fshatin Lismir, një e drejtë themelore njerëzore e cila do të mundësoj që jeta të jetë më e dinjitetshme por në të njëjtën kohe edhe tregon vëmendjen, përkushtimin tonë si dhe mbajtjen e zotimeve tona. Valon Prebreza, i cili është kandidati ynë për kryetar komune, pa qenë kryetar komune shiheni cka ka bërë, kur bëhet kryetar komune kushedi sa të mirat do t’i sjellë për komunën e Fushë-Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, Kandidati i LVV-së, Valon Prebreza ka treguar se vlera totale e këtij projekti ka kapur shifrën e 3 milionë e 700 mijë euro.
“Jena sot këtu me përuru këtë projekt para Bardhit me ndihmën financiare që e ka bërë ministria e ekonomisë në vlerë prej 424 mijë euro për këtë projekt, i cili do të furnizoj 672 banor të këtij fshati të cilët nuk kanë pasur ujë që 25 vjet. Vlera totale e këtij projekti është 3 milionë e 700 mijë euro, i cili është bashkëfinancimin me pushtetin lokal dhe KRU Prishtina”, u shpreh ai.


