Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shkruar në pesë vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ai tha se në ditën kur Kushtetuesja e mori vendimin për të, është liruar nga Burgu i Sigurisë së Lartë.
Kurti përmes një postimi në Facebook, duke shpjeguar dëmet e kësaj marrëveshje, ka thënë se kjo marrëveshje erdhi për shkak të njerëzve të papërgatitur.
Postimi i tij:
“Ditën që Gjykata Kushtetuese mori vendimin kundërshtues ndaj ‘Zajednicës’, më patën liruar nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë. Me secilin nga shtatë kapitujt e saj, ‘Zajednica’ nuk përputhej me Kushtetutën në gjithsej 23 nene. Pra, jo në dy a tri nene, por në plot 23 nene të Kushtetutës. Asnjë serb i Kosovës asokohe nuk protestoi e as s’u ankua. Vetëm Beogradi dërgonte nota proteste. Sot janë mbushur pesë vjet prej kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Kjo marrëveshje i shtonte lidhjet horizontale të 10 komunave të Kosovës dhe e forconte lidhjen e tyre vertikale me Beogradin
Kjo marrëveshje e keqe erdhi për shkak se njerëz të papërgatitur, pa kërkesa ndaj Serbisë e pa platformë të Kosovës, e bënë shtetin tonë shumë më tepër temë sesa palë në bisedime. Pa e nxjerrur këtë mësim, vetëm sa përsëriten të këqijat. Me mënyrën e njëjtë nuk ka rezultate tjera.