Kurti në samitin e Kotorit: Përshëndes kushërinjtë e mi nga Sukobina

Prishtinë | 16 Maj 2024 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në deklaratën e tij para mediave gjatë Samitit të Kotorit, përshëndeti kushërinjtë e tij nga Mali i Zi.

Në fjalën hyrëse, Kurti tregoi se 41 vjet më parë, daja i tij ishte i burgosur politik për tre muaj, dhe më pas, edhe vetë Kurti.

“41 vjet më parë daja ishte i burgosur politik në Kotorr për tre muaj. Ai vjen nga një fshat Sukobinë i Komunës së Ulqinit, në kufi me Shqipërinë. 25 vjet më parë u bëra i burgosur politik dhe më vonë edhe i burgosur lufte. Ishte koha kur regjimi i Millosheviqit po ushtronte gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në Mal të Zi kishim një mik. Refugjatët shqiptarë që po iknin nga projekti serb “Këpuca e kalit” për shfarosjen e shqiptarëve gjetën strehë në Malin e Zi fqinj, duke u sjellë me një mikpritje të pakushtëzuar për të cilën jemi përjetësisht mirënjohës”, u shpreh ai.

Kryeministri ka thënë se është i lumtur që sot, edhe daja i tij është i lirë në Sukobinë.

“Dhe tani jam kthyer në Kotorr, pas disa vitesh konferencash të ndryshme, tani për herë të parë si Kryeministër i Kosovës dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që dajën tim të lirë dhe të shëndetshëm në Sukobinë i mbush të shtatëdhjetat këtë vit”, tha ai.

Në fund, Kurti pati një përshëndetje për të gjithë kusherinjtë e tij.

“Përshëndetje të gjithë atyre të cilët kuptojnë shqip, posaçërisht kushërinjve të mi prej Sukobinës deri në Ulqin.”, tha Kurti.

Të ngjashme