Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet të bashkohen fizikisht e shpirtërisht siç janë bashkuar në Kuvendin e Republikës, dhe më pas në sheshet e qyteteve mes qytetarëve, për ta shënuar një ngjarje historike që e ka sjellë të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen, raporton Ekonomia Online.
“Detajet e mëtutjeshme dhe faktet e regjistruara të ngjarjeve të atyre ditëve, i takojnë historisë dhe historianëve. Por pikërisht nga kjo histori duhen nxjerrë mësime, siç edhe kemi bërë nga atëherë e deri më sot. Dhe kjo kuptohet më së miri nga rreshtimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendeve tona sot. Sikur atëherë edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë Kosova, dhe populli i saj bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinimi ynë ushtarak”, ka thënë ai.
Në seancën solemne, kreu i ekzekutivi theksoi se 25 vjet pas çlirimit, duan marrëdhënie të mirë me fqinjët.
“Pikërisht pse kemi vuajtur dhe humbur kaq shumë, tash ne duam që në Republikën demokratike të Kosovës të gjithë qytetarët të gëzojnë e të fitojnë, shumica shqiptare bashkë me pakicat serbe, boshnjake, turke, me ashkalinjtë, romët, egjiptasit, por edhe me kroatët e malazezët. Duan marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane, me njohje reciproke e bashkëpunim të shumanshëm në gjithë rajonin tonë, pa sulme dhe agresione, pa diskriminime e shfrytëzime”, theksoi Kurti.