Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar një pritje për bashkatdhetarët tanë në ballkonin e objektit të Kryeministrisë.
Kryeministri iu uroi bashkatdhetarëve mirëseardhje në Kosovë, e në Prishtinë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur”, tha ai.
Kurti theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë. Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kryeministri tha se kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human.
“Nëse para shumë dekadave kemi qenë përgjithësisht punëtorë krahu në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, tash shqiptarët kudo që jetojnë, punojnë, veprojnë, banojnë, janë inxhinierë, mjekë, janë artistë e sportistë, janë njerëz të kulturës e të dijes, të shkathtësive nga më të ndryshmet, burra e gra bashkë, të rinj e të moshuar. Në këtë mënyrë i kontribuojmë edhe imazhit të vendit tonë, por gjithashtu edhe ekonomisë, shoqërisë e kulturës së vendeve ku ata janë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar”, tha Kurti.