Kurti në Zvicër: Serbia gjithmonë do të jetë rrezik për Kosovën dhe vendet fqinje

Prishtinë | 02 Nën 2024 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Ai foli për refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bqrnabiq dërguar Bashkimit Europian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.

Kurti për Serbinë tha se “përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit”.

“Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”.

Kurti atje tha se Moska do të jetë e para që do t’i bashkohet këtij “kori përçarjeje dhe shkatërrimi”.

“Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”.

Ai tha se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore të mbesin të ankoruar në bashkësinë europiane të vlerave.

“Ky angazhim nuk ka të bëjë vetëm me rritjen ekonomike – ka të bëjë me ruajtjen e demokracisë dhe lirisë. Ne parashikojmë që Ballkani Perëndimor të rritet si një pjesë e qëndrueshme, sovrane dhe plotësisht e integruar e Europës – jo si një tabelë shahu gjeopolitike për fuqitë e jashtme. Ballkani Perëndimor në Europë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, është Bashkimi Europian ai që bëhet Europë”.

Të ngjashme