Kryeministri Albin Kurti nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka folur për gjendjen pandemike në vend, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, institucionet po punojnë maksimalisht që kjo valë e re të kalojë me sa më pak dëme në ekonomi.
Me pranimin e donacionit prej 55 automjeteve të blinduara nga ShBA-ja ai tha se FSK-ja po zhvillohet dhe kjo falë aleatëve strategjik që po ndihmojnë për sigurinë e vendit.
Kreu i Qeverisë potencoi se mbrojtja e territorit është interes vital dhe se të gjitha politikat do të bëhen në koordinim me NATO-n.
“Republika e Kosovës këto ditë është duke u përballur me sfida si rezultat i pandemisë globale. Institucionet po punojnë maksimalisht që kjo valë e re të kalojë me sa më pak dëme në ekonomi”.
“Vendi ynë po mirëpret refugjatët afgane po mbështet paqen në lindjen e mesme ushtarakisht. FSK po jep kontribut të veçantë në këto zhvillime. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK po punojnë pandalshëm për rritjen e kapaciteteve ushtarake”.
“Në rrugën e zhvillimit të ushtrisë sonë rol të rëndësishëm po luan ShBA dhe partnerët tjerë strategjik. Kjo mbështetje është vetëm një nga fushat ku ShBA-të po ndihmojnë për sigurinë e vendit tonë”.
“Qeveria e Kosovës mbrojtjen e territorit e sheh si një interes vital shtetëror. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes që të jenë të përputhshme me NATO-n me qëllim anëtarësimin në këtë organizatë”, tha ai, raporton EO.
“FSK-ja i ka më të mëdha aftësitë se sa mundësit. Ne po ju bashkëngjisim pajisjet tjera ushtarake si këto pajisje moderne. Uroj që këto automjete të blinduara të përdorën në mënyrën më të mirë”.